Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte se gjatë mandatit të tretë qeverisë do të garantohet 100% ujë i pijshëm në 24 orë në të gjitha bashkitë e vendit.

Kreu i qeverisë deklaroi se tema e ujit nuk do të jetë më çështje përballjeje për fushata elektorale. Ai shtoi se buxheti për ujin do të rritet me 40% gjatë mandatit të tretë.

“Ne e nisëm me konceptimin e një tjetër arkitekture të administrimit të sistemit me krijimin e një agjencia kombëtare që koordinon nga lart investimet dhe menaxhimin në sistemin e furnizimit me ujë dhe njëkohësisht dhe administrimit të mbetjeve me një plak strategjik financimesh dhe financim masiv të projekteve që nisën të hartohen njëri as tjetrit, natyrisht në bashkëpunim dhe me qeverisjen vendore. Miratuam 320 projekte në këshillin teknik të Agjencisë Kombëtare dhe janë hapur në 2 vitet e fundit 200 kantiere që do të garantojnë 24 orë ujë brenda këtij viti në territore, komunitete, qendra urbane që e kanë pasur këtë lëngatë prej shumë dekadash. Mandati i tretë qeverisës do të garantojë në disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë ku është problemi më i madh pasi ka ndodhur edhe përqendrimi më i madh si rezultat e lëvizjes masive të popullsisë në vite që ka sjellë nevojën masive në investime. Kur them Tiranë 24 orë ujë brenda mandatit të tretë përfshin Kamzën dhe Vorën. E njëjta gjë do të ndodhë me Vlorën, Shkodrën dhe Durrësin. Përfshin Elbasanin, Kukësin dhe krejt vijën turistike të Shqipërisë nga Velipoja në Sarandë. Me rritjen e buxhetit për ujin në mandatin e tretë me 40% falë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe mbështetjes që kemi siguruar nga qeveria gjermane, franceze dhe ajo zviceriane do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji i pijshëm nuk do jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushate.  Në vitin 2013 kishim 12 orë ujë në ditë. Në Dhjetor të këtij viti si mesatare në rang territor do të kemi 18 orë ujë në ditë. Në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë“, tha Rama.

Rama rendit prioritetet për energjinë në mandatin e tretë: Sistem smart dhe investime

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të enjte programin e qeverisë për energjinë. Kreu i qeverisë nënvizoi të gjitha prioritetet që do të ketë qeveria e tij nëse fiton mandatin e tretë.

Ai u shpreh se do të vijohet me investimet në rrjetin e shpërndarjes. Po ashtu sipas kryeministrit, në fokus mandatin e tretë do të jetë fuqizimi i kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Rama shtoi se do të ndërtohen dhe transformohen stacionet në rang vendi, ndërkohë që do të ndërtohet një rrjet i ri. Kryesore sipas Ramës është fuqizimi në aspektin teknologjik smart të sistemit.

“Duhet të vazhdojmë investimet në rrjetin e shpërndarjes ku kemi investuar afro gjysmë miliardi Dollarë dhe ku kemi ndërtuar një seri të tërë veprash. Janë projekte madhore. Aktualisht për vitin ku jemi pavarësisht goditjeve të marra nga tërmeti dhe pandemia që na ka detyruar të rishikojmë shumë gjëra vazhdojnë investimet, investime të rëndësishme dhe prioritete kryesore në mandatin e tretë janë e para të rrisim sigurinë e furnizimit për të gjithë përmes fuqizimit të kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë elektrike. E dyta të ndërtojmë dhe transformojmë në stacionet e tjera në rang vendi nga Shkodra në zonën e bregdetit Jon, nga Velipoja në Pogradec, sa për të numëruar disa që janë kyç, të vijojmë të ndërtojmë një rrjetë të të ri 20 kilovolt me një seri kabinash të tjera të cilat do të garantojnë në kompleks me masat e tjera një siguri të re energjitike dhe një cilësi krejt të re të shërbimit. Më tutje, të fuqizojmë aspektin teknologjik smart, dixhital, në monitorim dhe operim përmes një sistemi që tanimë është i instaluar në Shqipëri dhe e ka bazën e nevojshme për t’u shtrirë duke telekomanduar në distancë të gjitha kabinat dhe duke filluar pjesë nga Shkodra në zona të tjera pasi është ndërtuar zemra këtu në pellgun Tiranë-Durrës dhe kështu duke pasur në kontroll një sistem të tërë përmes sinjalizimeve në çaste të defekteve, uljes në kohë të shumë riparimeve, përmes monitorimit online të ngarkesës. Një fakt që ka rëndësi të thuhet Shqipëria ishte në vendin e 154 të botë për kohën e lidhjes së energjisë për një subjekt. Sot ne kemi kapërcyer më shumë se 100 vende dhe jemi në 2020 në vendin e 44 në botë”, tha Rama.

Rama: Dua që Shqipëria të jetë e ardhmja e djalit tim të vogël

Teksa prezantoi planin për energjinë dhe ujin këtë të enjte, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk është i përsosur. Megjithatë ai shtoi se është koha për të vazhduar për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Kreu i qeverisë theksoi se ndodhet në këtë detyrë për të luftuar për secilin qytetar, ndërkohë që shtoi se do që Shqipëria të jetë e ardhmja e djalit të tij të vogël dhe e të gjithë fëmijëve.

“Ka kohë Shqipëria të kthehet mbrapa apo është koha për të vazhduar papushim për ta bërë Shqipërinë të ardhshmen tonë? Padyshim që është koha për ta vazhduar papushim për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Unë nuk jam i përsosur, unë nuk jam pa gabime, pa diskutim të metat disa m’i njihni, të tjera nuk m’i njihni, por i kam, siç i kanë të gjithë. Ama një gjë është sigurt, jam këtu për të luftuar për secilin për ju, dhe për të luftuar për të gjithë ne bashkë sepse unë dua që Shqipëria të jetë e ardhmja e djalit tim të vogël, unë dua që Shqipëria të jetë e ardhmja e fëmijëve tuaj më të vegjël. Unë dua që Shqipëria të jetë e ardhmja jonë e përbashkët dhe Shqipëria të jetë shtëpia ku çdo fëmijë i kësaj republike të ndjehet krenar dhe të mos dojë të largohet prej saj, apo kur të largohet të ketë padurimin të kthehet prapë në shtëpinë e vet”, tha Rama./tvklan.al