“Ringrihemi pas tërmetit e pandemisë, kandidoj edhe në Durrës” 

Për kryeminstrin Edi Rama, 25 Prilli është një ndeshje vendimtare ku do të vendoset nëse Shqipëria do të vazhdojë përpara apo do të kthehet pas. Përballë kandidatëve finalistë për të hyrë në listat e deputetëve të Partisë socialiste, Rama sqaroi se përse e kërkon edhe një mandat të tretë.

“Më 25 prill do të vendoset nëse do të dalim shpejt nga kthetrat e pandemisë, duke siguruar në kohë të gjitha dozat e vaksinave për të ecur shpejt përpara me këputjen e zinxhirit të infektimeve apo do të humbasim kohë të çmuar duke rënë në kthetrat e politikës së vjetër. Kjo ndeshje do të vendosë nëse do të çojmë përpara punët e nisura në të katër anët, në çdo drejtim apo nëse do të ngecim përsëri dhe do të rizhytemi në gropën e asaj politike që na çoi deri në buzën e humnerës”.

I drejtpërdrejtë u tregua me të gjithë finalistët teksa kërkoi prej tyre të dinte defektin më të madh të Partisë Socialiste. Për të treguar se në Partinë Socialiste nuk ka nepotizëm, por vetëm meritë, Erion Veliaj, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Tiranës, ndau me kandidatët për deputetë rrugëtimin e tij.

“Edi më hapi derën për t’u futur në PS. Kur te partia jonë thua; dhëndri, vajza, kunati, njerëzit kthejnë kokën. Tek partitë e tjera kur e thua këtë, merret vesh për kë. Kupton se si bën karrierë në atë parti”.

Kryeminstri Rama pohoi se krahas Vlorës, në 25 prill do të kandidojë edhe për Durrësin.

“Unë do të jem pjesë e skuadrës edhe në Durrës…”

Në platformën “Deputeti që duam” aplikuan 1581 kandidate, prej të cilëve janë përzgjedhur 10 finalistët e parë, mes të cilëve bie në sy edhe emri i ish-Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku.

Ndërkohë që emrat e tjerë janë kryesisht të rinj, që u përkasin shtresave sociale dhe qyteteve të ndryshme.

Tv Klan