Rama: Masat e reja të zbatohen rigorozisht edhe nga partitë politike



Rama: Masat e reja të zbatohen rigorozisht edhe nga partitë politike

16:21 10/02/2021

“Njerëzit të mbajnë maskën, bizneset do të mbikqyren rreptësisht”

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje që masat e reja që do të hyjnë në fuqi të enjten për parandalimin e mëtejshëm të koronavirusit në vend të zbatohen rigorozisht edhe nga partitë politike. Ai shprehet përmes një postimi në rrjetet sociale që njerëzit duhet të mbajnë maskën dhe të shmangin grumbullimet ndërsa bizneset do të monitorohen rreptësisht. Kryeministri bën thirrje që masat të respektohen në mënyrë që pas dy javësh të mos rëndohen më tej.

Masat e reja duhen zbatuar rigorozisht, duke nisur nga partitë politike, pa përjashtim, e deri tek çdo individ që duhet të mbajë maskën kudo jashtë shtëpisë dhe të shmangë çdo grumbullim. Ora policore dhe njësitë tregtare të çdo lloji, do të mbikqyren rreptësisht. Ju lutem bëni tuajën të gjithë këto dy javë, që masat të lehtësohen e jo rëndohen më tej“, shkruan Rama.

Nga e enjtja e 11 Shkurtit lëvizja e popullatës do të kufizohet nga ora 20:00 deri në orën 06:00 në të gjithë vendin. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore apo motive pune. Personat që lëvizin për arsye pune duhet të pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania.

Në të njëjtën fashë orare do të kufizohet edhe aktiviteti i bareve, restoranteve, fast food-eve e lokaleve që ofrojnë shërbim për klientët. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për shërbimin në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar protokollet AntiCovid.

Ditën e sotme është marrë vendimi që shkollat e mesme në zonat me risk të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të zhvillojnë mësimin online për dy javë duke nisur nga nesër.

Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë të domosdoshme, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid./tvklan.al







Të ngjashme