Rama: Mbërritja e Shqipërisë në BE, jo e lehtë. E hëna ditë e madhe

Rama: Mbërritja e Shqipërisë në BE, jo e lehtë. E hëna ditë e madhe

21:00 16/02/2020

Kryeministri Edi Rama thotë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do të jetë i lehtë. Megjithatë ai shpreh mirënjohjen për Presidentin e Këshillit Europian dhe pjesëmarrësve në samitin që po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të diele në Bruksel, për përpjekjet e tyre për t’i dhënë shtysë procesit të integrimit.

“Të gjithë u ulën paksa me vështirësi sot në Bruksel, kështu që është një lloj sinjali se mbërritja për ne nuk do të jetë e lehtë. Por në të njëjtën kohë i jemi shumë mirënjohës, Presidentit të Këshillit të ri Europian dhe të gjithëve këtu, që po bëjnë shumë përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit. Në të njëjtën kohë jemi shumë të interesuar të shohim dhe të diskutojmë metodologjinë e re, e cila shpresoj që do të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare”, tha Rama në një prononcim përpara nisjes së tryezës së përbashkët “BE dhe Krerët e Vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Ndërkohë të hënën, kur pritet të zhvillohet Konferenca e Donatorëve, Kryeministri e cilësoi ditë të madhe.

“Po kështu, për ne, Shqipërinë, nesër është dita e madhe, sepse kemi Konferencën e Donatorëve për përballimin e situatës pas tërmetit dhe shpresoj shumë se do të gjejmë mjaftueshëm solidaritet e mbështetje për të përpara me rindërtimin”.

Krerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderë të Bashkimit Europian janë mbledhur mbrëmjen e sotme në Bruksel, për të përgatitur samitin e Zagrebit, që mbahet nga 5 deri në 7 Maj dhe që do t’i kushtohet perspektivës së zgjerimit të unionit.

Samiti jozyrtar i Brukselit, i thirrur nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të fokusohet te diskutimi i metodologjisë së re të zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Europian në 5 Shkurt.

Ndërkohë afro 100 shtete do të jenë pjesë e Konferencës së Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”, që do të mbahet pasditen e 17 Shkurtit në Bruksel, organizuar nga Presidentja e Komisionit Europian./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi