Ukraina dhe siguria e kontinentit që po vihet në kërcënim çdo ditë dhe më shumë, mori vëmendjen e sesionit të parë të Komunitetit Politik Europian të Tiranës. Edi Rama, që moderoi tryezën, e nisi fjalimin duke u kujtuar liderëve që e uruan për fitoren në zgjedhje, se shqiptarët që votuan, treguan se e duan anëtarësimin. Ndërsa ata që nuk e mbështetën, nuk janë euroskeptikë si britanikët që votuan pro Brexit, por thjeshtë janë të painformuar.

“Për mikun tim të dashur këtu, Kier, ishte një rezultat mjaft i ngjashëm me referendumin e Brexit, por me  role të përmbysura, 52% për ne për të mbetur apo në rastin tonë për tu bashkuar, por aty ku nuk kishte krahasim, ishte 48% -shi i mbetur i votuesve. Ata nuk janë euroskeptikë. Jo, janë thjesht euro-optimistë të painformuar të cilët mendojnë që duhet të isha shkarkuar meqë nuk ia dola të bashkoja Shqipërinë me BE-në shumë kohë më parë, por në fakt nuk është kjo, nuk është ky argumenti im”.

Ndryshe nga liderët e vendeve anëtare që po rrisin financimet për armatimet, Rama mendon se fokusi nuk duhet vendosur tek mbrojtja, por tek arsimi dhe teknologjia.

“Ndjejmë nevojën për një politikë që ripërcakton edhe se si jemi së bashku mes vetes dhe me botën. Një politikë që e sheh Europën si një shpirt i përbashkët që duhet mbrojtur. Dhe për ta bërë këtë duhet të investojmë edhe tek zemrat dhe mendjet që mbartin me vete shpirtin e Europës. Pse të mos imagjinojmë një aleancë të arsimit, shkencës, inteligjencës artificiale, një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit? Le t’u japim të rinjve të Evropës, bizneseve të reja, një arsye më të mirë për të qëndruar, se sa të flasin vetëm për armë, e t’u japim motiv të fortë për të ndërtuar e ëndërruar në tokën europiane, në vend që të hedhin sytë lart për të ndjekur ëndrrën e tyre. Beteja jonë duhet të jetë diçka që mund bëjmë ne për veten tonë, fëmijët tanë, e Europën tonë.

Edhe pse fjalimi i Ramës u duartrokit, të 8 liderët që folën pas tij, nga kreu i Këshillit Europian tek krerët e shteteve më të mëdha të Europës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë e Turqisë, vetë kreu i Ukrainës si dhe presidentja e Komisionit Europian, edhe pse folën për paqen, të gjithë u përqendruan te mbrojtja.

Të gjithë shënjestruan Rusinë dhe Putin si njeriun që nuk do paqen.

“Nëse Rusia nuk do të ulet në këtë tryezë bisedimesh, Putin duhet të paguajë çmimin. Ajo që ndodhi dje, provë e mëtejshme se Putin se ka seriozisht paqen. Rusia po luan lojëra, ndërkohë që Ukraina ka dëshmuar se është pala e paqes dhe udhëheqjes”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer.

Vetë Rama, por dhe Giorgia Meloni, si dhe Ursula von der Leyen, folën dhe për rëndësinë që ka integrimi i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

“Jemi mbledhur këtu në Tiranë për të ndërtuar të ardhmen përbashkët, të ardhmen tonë të Europës në një epokë besimi të përbashkët me synim të ndërtojmë këtë mirëqenie dhe nuk kam aspak dyshim që do ta bëjmë”, tha Ursula von der Leyen.

“Në rast se dëshirojmë të ndërtojmë Europën e re në një botë të re, nuk mund ta bëjmë atë pa Ballkanin Perëndimor, pa këta popuj, pa këto shtete. Shqipëria është Europë si Italia. Është moment i rëndësishëm për Kombin Shqiptar dhe për të gjithë ne. Ne po ndërmarrim një hap përpara në procesin e ribashkimit të Europës. Zgjerimi, do të thotë edhe sfida të reja, por jam e bindur që integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në të mirën e sigurisë së Europës”, u shpreh Giorgia Meloni.

Ajo që u vu re në fjalimet e Macron dhe Merz ishin këndvështrimet e ndryshme që kishin sa i takon marrëdhënieve me SHBA.

“Të mbledhur e Bashkimit Europian me të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive që përfaqësohen, na jep shansin e një kontinenti më të gjerë, që të përballemi me sfida e ta bëjmë këtë së bashku këtë në unitet. Duke pasur parasysh rrezikun e ndasisë që na kërcënon”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Duhet të bëjmë çdo përpjeke që amerikanet t’i kemi në anët tonë. Nuk mund ta zëvendësojmë kurrsesi SHBA-në, për ato që bëjnë në kontinentin tonë, për paqen dhe lirinë tonë”, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Tv Klan