Ashpërsim të sanksioneve për zyrtarët që fshehin dënimin

Mazhoranca po përgatitet të bëjë ndryshime në ligjin për Dekriminalizimin. Rasti i Valdrin Pjetrit që fshehu dënimin e tij në Itali ka detyruar socialistët të ndryshojnë sanksionet penale në këtë ligj.

Kryeministri Rama në mbledhjën e zhvilluar paradite në një hotel në Shëngjin me grupin e rajonit të veriut, ku pjesë janë deputetë dhe kryebashkiakë të qyteteve veriore, ka dhënë detaje mbi këtë nismë.

Një nga pikat që po diskutohet veç ashpërsimit të dënimeve për ata që falsifikojnë të dhënat në formularin e Dekriminalizimit, është dhe zgjatja e afatit për dorëzimin e kandidaturave për zyrtarët që zgjidhen. Me fillimin e sesionit të ri parlamentar, do të nisë dhe puna për ndryshimet ligjore.

Deri atëherë, Rama ka porositur kryebashkiakët të kenë shumë kujdes në përzgjdhjen e të punësuarve, të cilët nuk duhet të preken nga ligji i Dekriminalizimit. Kryeministri ju ka komunikuar pjesëmarrësve, ku është vënë re mungesa e deputetit Ditmir Bushati, për vendimin për të larguar pjesën më të madhe të drejtorëve rajonalë, që sipas tij, janë të paaftë dhe nuk arrijnë objektivat.

Ata, sipas Ramës, do të zëvendësohen me gra dhe vajza. Në këtë mbledhje nuk është diskutuar për zgjidhjen që ka menduar mazhoranca për Bashkinë e Shkodrës, në kushtet kur Presidenti ka deklaruar se nuk do të dekretojë një datë për zgjedhje të pjesshme. Si për vendin që Valdrin Pjetri la bosh në Bashki, ashtu dhe si koordinator i qarkut të Shkodrës, do të vendosë kryesia që do të mblidhet pasditen e të mërkurës.

Tv Klan