Kryeministri Rama ka mbledhur sot drejtuesit e qarqeve për të diskutuar lidhur me ndërhyrjet në Reformën në Drejtësi.

Gazetarja Klesiana Omeri ka raportuar për Klan News se pas mbledhjes pritet të mësojmë më shumë detaje për prezencën e ministres Gjonaj dhe deputetes Klotilda Perhati që është një nga propozueset e këtyre amendamenteve për ligjet e Reformës.

“Mendohet që mund të jenë pikërisht ndërhyrjet që PS synon t’i bëjë Reformës në Drejtësi me mbi 10 amendamente që ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë për të lehtësuar punën e SPAK në mënyrë që të ketë dosje me rëndësi specifike dhe jo çështje të lehta për shqyrtim. Po ashtu heqja e disa burokracive për shqyrtimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë.

Pritet që këto ndryshime të kërkuara nga Partia Socialiste të miratohen në seancën e 15-të Marsit që do të jetë edhe seanca e fundit për këtë sesion pas shpërndarjes së parlamentit për shkak të nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit. Këto ndryshime që PS synon nuk ka pasur diskutime me PD-në pasi në vitin 2016 kjo reformë u miratua me konsensusin e Opozitës së Bashkuar, ndërkohë pas disa viteve synohen të bëhen korrigjime të saj për çështjet e lartpërmendura.

Pas mbledhjes pritet të mësojmë më shumë detaje për prezencën e ministres Gjonaj dhe deputetes Klotilda Perhati që është një nga propozueset e këtyre amendamenteve për ligjet e Reformës në Drejtësi”, raporton gazetarja.

Klan News