Disa orë pasi u kthye nga Luksembugu, ku u zhvillua Konferenca e 4 Ndërqeveritare me BE-në, kryeministri është dhe më i bindur se 2027, afati i vendosur për të përmbyllur negociatat, është mëse i mundshëm të arrihet. Dhe kjo, Rama ju tha bashkëbisedueseve të tij virtual, jo si bamirësi por për meritë.
“BE-ja kurrë nuk është në situatën e një bamirësi, sepse me të drejtë kërkon që kë afron ta ketë si veten, me standardet e veta”, tha Rama.
E sipas kryeministrit pikërisht se në 12 vite qeveria e tij ka bërë reforma, fitorja e 11 Majit është e padiskutueshme dhe këtë e di kryedemokrati dhe keshilluesi i tij amerikan, dhe këtë e thonë dhe sondazhet, kujton Rama.
“Edhe Latifi, voton 5. Latifi vetë, vetë shoku Latif, e pe si bëri 5. Ky portieri këtë radhë do hajë aq shumë gola o miku im sa do rrijë duke nxjerrë topin nga rrjeta nja 1 javë rresht dhe do vërë kujën “Ma çanë rrjetën””, tha Rama.
Duke komentuar rastin e 38-vjeçarit nga Lushnja, që po hetohet nga SPAK për shitblerje votash, Rama jo vetëm thotë se forca që ai drejton nuk është e prekur nga ky fenomen, por kërkon që askush mos ta bëjë këtë gabim.
“Pashë që kishin dalë ata që jepnin lekë nga këto paratë e kënetës, se këneta ka shumë para. E keni parë sa e ka paguar Latifin dhe ku i gjejnë xhanëm? Ku i gjejnë, e keni parë Latifin? Kështu që kam parë që ka dalë këneta me para se kishin kapur një zhapik andej nga Lushnja a Divjaka ku ishte, a ku di unë që jepte para për votën. Askush mos ta bëjë këtë gabim se është krim”, tha Rama.
Rama bën ironi me afatin e deklaruar nga opozita për heqjen e non-gratës për Sali Berishën nga administrata Trump.
“Kjo historia që do hiqej në Janar, e do hiqej në Shkurt e do hiqej në Mars, e do hiqet në prill, ta shohim. Ta shohim, mos më qanin hallin mua, i dashur, mos më qani hallin mua”.
Pyetjen e përsëritur nëse udhëton dot drejt Shba dhe a do të ndodhë kjo së shpejti i jep të njëjtën përgjigje.
“Vizita për në USA, kur të më ftojë USA në rast se bëhet fjalë për të vizituar USA-n”, tha Rama.
Ndërsa në orët e pasdites të rinjtë e Kamzës i ftoi që në 11 maj, ashtu si në zgjedhjet lokale të vitit 2023, t’i japin një rezultat spektakolar Partisë Socialiste, për ta kthyer në realitet ëndrrën e tyre europiane.
“Patjetër që duhet shkuar për të votuar dhe duhet votuar për të bërë një shumicë më të madhe se sot. Ata dinë vetëm “noc rrokun”. Ne do ua prezantojmë në datën 12 Maj, të gjithë së bashku”, tha Rama.
Tv Klan