“Nuk kam lidhje me hetimin ndaj ish-zyrtarit të FBI”

Kryeministri Rama mohoi sërish të ketë lidhje në çështjen “McGonigal”, për të cilën në Shtetet e  Bashkuara të Amerikës ka nisur një hetim ndaj ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së.

Përmes një deklarate të shpërndara në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes, Rama thotë se paratë që McGonigal ka marrë nuk janë para lobimi, por një borxh që Agron Neza ia dha ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.

Edi Rama: Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtari i lartë i FBI, por si njëra si tjetra bien përtokë përballë fakteve të hetuara. Në këtë çështje zyrtari i lartë i FBI nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që fliten me ulërima në Shqipëri, po vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij.

Rama hedh poshtë si fantazi dhe ligësi akuzat e ngritura nga opozita përfshi edhe atë se ka shpallur investitor strategjik njeriun më të  afërt të Presidentit rus Vladimir Putin.

Edi Rama: Edhe më qesharake janë akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, si pjesë e këtij konspiracioni agjenturor të tipit kinematografik “Fije që priten”. Kompania Strabag është flamuri më i madh i ekonomisë austriake, e cila ashtu si edhe kompania Trema operojnë në Shqipëri prej dekadash. Të lidhësh një aksioner rus të këtyre kompanive (i cili së fundmi është përjashtuar prej tyre si një individ nën sanksionet e luftës) me këtë përrallë që edhe pa të është krejt groteske, do të thotë të jesh në dëshpërim total.

Pas akuzave të opozitës, Rama thotë se sheh hallin e madh të kësaj të fundit në dyert e gjyqësorit për çështje të nxehta , siç është 21 Janari dhe Gërdeci.

Edi Rama: Dihet që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe kjo histori është pasqyrë besnike e dëshpërimit të opozitës sonë, e cila përveçse s’ka kokë ka mbi kurriz çështje madhore si Gërdeci, 21 Janari apo edhe lidhjet ruse qysh në kohën kur bashkoi votën me partinë e Putinit në Këshillin e Europës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Ramës, të gjitha këto dosje kërkojnë drejtësi dhe se  nuk ka teori konspiracioni që i varros në harresë.

Tv Klan