Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një takim me banorët në Burrel, ka kërkuar votën për Partinë Socialistë në zgjedhjet e 11 Majit.

Rama i ka cilësuar këto zgjedhje tepër të rëndësishme, pasi këto votime sipas tij nuk do përcaktojnë vetëm partinë qeverisëse për vendin, por gjithashtu dhe identitetin e Shqipërisë për 30 vitet e ardhshme.

“Për ta mbyllur unë besoj që më 11 maj ne kemi një takim me historinë. Zakonisht zgjedhjet janë padyshim të rëndësishme, por ka raste që zgjedhjet përcaktojnë jo vetëm kush do qeverisi, por ku do jetë vendi në 30 vitet e ardhshme. Unë po ju them pa ekzagjerim, më 11 maj mund të luhen 30 vite“, tha Rama.

Duke e risjellë vëmendjen tek rëndësia e anëtarëisimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kryeministri tha se dera është e hapur e “duhut futur brenda familjes”. Sakaq, mundësinë e anëtarësimit në unionin evropian nuk e cilëson si bashkim, por si një “ribashkim”.

“Sot BE e ka hapur derën për ne, nuk ishte e hapur më parë sepse nuk kishin vullnet të plotë për të përshpejtuar zgjerimin, që për mua është ribashkimi. Ata që thonë ç’ është kjo historia e Edi Ramës, ç’ është ky muhabet 3 herë, 3 mandate nuk u mjaftuan për tu futur në BE, u dashka i katërti. Po të ishte me logjikën e këtyre që thonë ja ku je bëj gjërat, lufto e hy në BE, do kishin hyrë në BE të tjerë. Mali i Zi i ka hapur negociatat para se të vinim ne në detyrë, e tani I kemi arritur te dera. Serbia i ka hapur në 2014, është pas nesh tani. Maqedonia është bërë kandidatë 2005, akoma nuk i ka hapur negociatat. Ndaj larg qoftë, dera mund të mbyllet prap. E vijnë momente si ai që erdhi në 2017-2018, kur thanë këto 5 vite nuk ka asnjë zgjerim. Ti mund të hidhesh përpjetë s’ka derë të hapur. Tani dera është e hapur e ne duhet të hyjmë brenda, se kemi mundësinë reale, se kemi planin që në 2027 të mbyllim negociatat. Pastaj vjen procesi i ratifikimit në Parlamentet e vendeve te tjera e ne hyjme në sallonin kryesor te BE”, tha Rama.

Sakaq, kryesocialisti u shpreh me ironi ndaj opozitës se nuk mundet ajo të negociojë me Bashkimin Evropian.

“Këto zgjedhje janë shumë pak me kë je më ke s’je. Këto zgjedhje janë je për ta futur Shqipërinë në BE në 2030 apo s’je. Dikusht thotë jo mo, jam por jo me Edi Ramën e PS. Më vjen keq por nuk ndodh. Le që të imagjinosh të çosh bufin e kënetës për negociata, e iamgjinueshme. Sa t’u kujtohet atyre kush është, i mbaron filmi Shqipërisë. Ne në datën 16 maj do presim gjithë Evropën në Tiranë” tha ai.

Duke rikërkuar e një herë votën, kryeministri u shpreh se për të gjithë ata që nuk duan të votojnë Edi Ramën, të simpatizojnë një prej kandidatëve të Partisë Socialiste, me mundësinë që të marrë pasaportën evropiane.

“Pse duhet ta diskutojmë e zgjasim kaq shumë muhabetin që në fund të ditës edhe shqiptari më i pa afrueshëm politikisht ndaj nesh, në fund të ditës duke votuar per ne mbyll hundën, e ta vërë një kryq aty te 5, ose nëse s’do ta hedhi te Edi Rama, të gjejë një njeri të mirë, një vajzë a djalë, një njeri normal do e gjejë, e të marrë pasaportën”, tha Rama.

/tvklan.al