Në takimin me kandidatët socialistë të qarkut të Durrësit, Kryeministri Rama kërkoi rezultat të thellë më 11 Maj.
“Për Partinë Socialiste patjetër do votojnë socialistët, të votojnë mbështetësit tanë, simpatizantët tanë, po te kutia e Partisë Socialiste aty, duhet të votojnë të gjithë demokratët dhe të gjithë çfarë janë në mes, që duan që barazia para ligjit të mos jetë më në duart e partive për ta vënë në diskutim”, u shpreh Edi Rama.
Rama tha se ia kishte dhënë shpatën drejtësisë.
“Tani kjo nuk mund të jetë histori që hajdut, hajdut, hajdut, është muhabet kot. Dhe ne duhet të jemi krenarë, jo që nuk duhet të ulim kokën, duhet të jemi krenarë për faktin që përtej dhimbjes që kemi personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë që të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh dhe sot është në duart e drejtësisë. Por ama, nuk ndodhte kjo kurrë në qoftë se nuk do ta kishim hapur ne këtë kapak”, tha kreu i qeverisë.
Ironizoi sërish opozitën që e konsideron kënetë politike.
“Nuk e përcakton këtu këneta se a po bëjmë ne shtet a s’po bëjmë ne shtet. Nuk e përcakton këneta këtu a po luftojmë ne me krimin dhe korrupsionin a s’po luftojmë ne. E përcakton gjithë ky proces dhe ata që janë si skiftera që shohin çdo ditë çdo gjë që bëjmë ne këtu. Shqipëria sot është e para në rajon për integritetin e prokurimeve publike, që do të thotë që korrupsioni ka marrë një goditje shumë të madhe”, tha Rama.
Për Ramën, mbyllja e negociatave me BE-në në vitin 2027 do ishte një rekord më vete.
Rama premtoi ndërtimin e rrugës Thumanë-Krujë.
Klan News