Prej ditësh tashmë lajmi se do të mbyllen pikat e basteve “pushtoi” mediat. Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Edi Rama ka folur sot në emisionin “Zonë e Lirë”. Ai u shpreh se më 31 Dhjetor do të mbyllen të gjitha pikat e basteve, madje edhe ato online. Kryeministri shprehet se natën e Vitit të Ri do t’i kthejë nënave djemtë dhe grave burrat e “sëmurë” nga bixhozi.

Arian Çani: Njerëzit duan të dinë, me mbylljen e lojërave ti kërkon të favorizosh kazinotë që do të hapen në hotelet me 5 yje?

Edi Rama: Së pari kjo është shumë serioze për t’u marrë me shaka. Para disa kohësh, kur ne bëmë një studim, na dolën shifra të frikshme. 70% e lojtarëve që luajnë, e nisin këtë në moshën 10-15 vjeç, që është tregues katastrofik. Më shumë se 70% tregojnë se kanë probleme stresi dhe nervozizmi. 1 lojtar në 4, tregojnë se kanë tentuar një herë të vrasin veten. Këtë studim e ka bërë Universiteti i Tiranës, për të parë të dhënat tona si vend, për të filluar betejën për t’i mbyllur. Bastet në atë kohë nuk ishin në diskutim, ishin vetëm kazinotë. Ajo që ndodh në Shqipëri është e patolerueshme, sepse ka një numër të madh fëmijësh dhe adoleshentësh që luajnë dhe kjo është një industri që financohet nga krimi i organizuar. Do të jetë një çlirim për familjet. Janë 700 milionë euro në Shqipëri në një vit hidhen në lumë. Mund të jetë pak më pak si shifër. Janë para që dalin nga arka e familjeve që tashmë do të hyjnë në familje.

Arian Çani: Ti mendon se dikush që nuk do t’i heqësh drogën, nuk do të gjejë drogë?

Edi Rama: Nuk është kështu, kjo është provuar në vende të tjera. Franca e ka të ndaluar rreptësisht para shumë vitesh hapjen e salloneve të basteve. Të hapësh një sallon në Francë shkon 3 vjet në burg.

Arian Çani: Mos më dredho kot. E njëjta shifër blihet tek tabakot.

Edi Rama: Është monopol shtetëror dhe është i kontrolluar. Kur flasim për New York, atje është e ndaluar dhe ka vetëm një vend të caktuar ku mund të luash. Në rastin tonë, ne po bëjmë diçka shumë të shëndetshme që këto para do shkojnë në familje.

Arian Çani: Këtë nuk e di ti, se ku do të shkojnë…

Edi Rama: Po ku do të shkojnë tjetër? Do të mbyllet një kanal riciklimi i krimit të organizuar. Kjo histori është histori lufte, nuk mbaron me kaq. Krimi ndërron lëkurë dhe strategji, por në këtë rast sms-të që merr ti janë të orkestruara nga bosët e kumarit.

Arian Çani: Sipas teje nuk ka një shqetësim real nga njerëzit?

Edi Rama: Patjetër që janë, por mesazhet që ti merr tani janë të orkestruara. Mbyllja e basteve do të ketë dhimbjen e vet, por do të çlirojë shoqërinë dhe familjet. Do të mbyllen të gjitha bastet. Me ligjin e miratuar më parë nuk do të ketë kazino elektronike, përveçse në hotele me 5 yje dhe në zona turistike. Tirana nuk është zonë turistike. Në datë 31 Dhjetor, nënat, gratë dhe vajzat do të marrin mbrapsht djalin apo burrin e sëmurë nga bixhozi. Më 1 Janar do të jenë mbyllur të gjitha bastet në rrugë, apo online dhe thënë kjo, online sot luhet me kartë krediti dhe çdo transaksion është i regjistruar, taksohet dhe nuk mund të luash në të zezë. Më 31 Dhjetor nuk ka më. Do t’i mbyllim të tëra.

/tvklan.al