Ashtu si në vitin 2017, socialistët kanë vendosur që mitingun përmbyllës të fushatës ta zhvillojnë në Vlorë, në zonën elektorale të Kryeministrit. Vendimi është marrë nga Kryesia e cila është mbledhur mëngjesin e kësaj të hëne për të marrë porositë e fundit nga Kryeministri për të dielën e 30 Qershorit, që do të hyjë në historinë e pluralizimit si data e zgjedhjeve të para pa opozitën.

Kryefjala e Edi Ramës për anëtarët e Kryesisë ishte dokumentimi i çdo rasti kur votuesit do të pengohen të dielën e 30 Qershorit të shprehin vullnetin e tyre me votën për kandidatë socialistë për kryebashkiakë.

Edhe pse në më tepër se në gjysmën e njësive të pushtetit lokal, socialistët nuk do të kenë rival përballë, Rama thotë se është shumë i rëndësishëm të arrihet një proces me standarde. Të garantohet, sipas tij, mbarëvajtja e procesit. E për të folur pikërisht për monitorimin e gjithë procesit zgjedhor si para ashtu dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, Kryeministri ka pritur në një takim në zyrën e tij në selinë rozë dhe kreun e delegacionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Odry Glover.

Tv Klan