Kryeministri: Na duhet më shumë Europë në Ballkanin Perëndimor

Teksa pak javë na ndajnë nga Procesi i Berlinit, kryeministri Edi Rama gjatë takimit të ministerialit euro-ballkanit, zbardhi fokusin e këtij organizimi të rëndësishëm në kryeqytetin shqiptar. Më shumë Europë në Ballkanin Perëndimor, pritet të jetë kryefjala e liderëve në 16 tetor.

 “Samiti do të diskutojë për diçka krejt të re që edhe një herë 5 vite më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të BE-së për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra. Është koha të ecim para dhe të nisim të shohim vepra premtuese.”

Teksa situata në rajon nuk është aspak e lehtë, kreu i qeverisë ka një thirrje.

 “Mund të mos biem dakord për një sërë gjërash në këtë rajon. Mund të kemi çështje të rëndësishme ende të pambyllura, por e vetmja mënyrë është të përpiqemi që të biem dakord për atë që mund të bëjmë së bashku. Gjithmonë e më tepër kemi parë sa e rëndësishme është të trajtojmë çështjet tona. Sa më të mira urat që ndërtojmë më e mirë është hapësira për të trajtuar edhe çështjet e vështira.”

Lufta në Ukrainë tha kreu i qeverisë, nuk është aq larg sa duket.

 “Sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është e rëndësishme mos ta shohim luftën si video-lojë, por si katastrofë që duhet ta shmangim me çdo mjet, kudo, në çdo lloj forme, edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit mjafton për të ndezur një luftë Ballkanike, por edhe një luftë evropiane e botërore.”

Kryeministri Rama nënvizoi nevojën për një bashkëpunim më të madh mes vendeve dhe heqjen e barrierave.

Klan News