Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria pret vetëm një përgjigje nga Komisioni Europian, atë të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në konferencën për shtyp me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, Kryeministri Rama theksoi se qeveria i ka përmbushur të gjitha detyrat.

Kryeministri Rama:

“Folëm për tërësinë e reformave të ndërmarra, për pritshmëritë tona në vigjilje të daljes të raportit të progresit të KE, si dhe për ecurinë e mëtejshme të të gjitha përpjekjeve në funksion të thellimit të reformave dhe të transformimit të të gjitha aspekteve të jetës së vendit. Nuk është sekret që ne presim vetëm një përgjigje nga KE, pra përgjigjen se i kemi kryer plotësisht detyrat e shtëpisë dhe meritojmë çeljen e negociatave për anëtarësim. Këtë pritshmëri ne e kemi të bazuar sepse i kemi kryer të gjitha detyrat dhe Shqipëria flet me gjuhën e rezultateve. Jemi të vetëdijshëm që vendimmarrjet në nivel shtetesh, për ne varen nga ne po aq sa ç’varen dhe nga faktorë jashtë nesh, por besojmë se është koha për t’i dhënë fund një përpjekje për një fazë siç është ajo e përgatitjes së negociatave për t’i filluar zyrtarisht negociatat. Ne e dimë shumë mirë që gjithçka kemi bërë mjafton për të çelur negociatat por është larg së qeni e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha detyrimet tona në radhë të parë ndaj qytetarëve të vendit në funksion të të ardhmes dhe të Shqipërisë që duhet të ndërtojmë për fëmijët tanë”.

Ndërsa zyrtarja e Bashkimit Europian, Mogherini është shprehur se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, por ka theksuar se për miratimin e progres-raportit të Komisionit Europian, duhen bindur të gjitha shtetet anëtare të BE. Për të bindur vendet skeptike të Bashkimit Europian për arritjet e Shqipërisë, Federica Mogherini ka shprehur gadishmërinë për të ndihmuar në këtë proces.

Federica Mogherini:

 “Besoj që ju po kaloni një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi. Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedent. Ju keni arritur që të keni një reformë në drejtësi e cila do të ishte shembull edhe për disa nga vendet anëtare në BE. Vettingu ka filluar të sjellë rezultate të prekshme. Së dyti, dëshiroj të përmend edhe uljen drastike të nivelit të kanabisit. Po ashtu dëshiroj të përmend që ka pasur një sërë operacionesh të mëdha që kanë ndihmuar në shpërbërjen e këtyre grupeve kriminale. Besoj se ne na duhet që të vazhdojmë të jemi mbështetsës për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE. Unë besoj që çelja e negociatave në Qershor është objektiv i arritshëm, por nuk duhet  marrë i mirëqenë pasi shtetet anëtare duhet të binden plotësisht dhe unë besoj që ky është objektivi ynë i përbashkët që t’i përdorim javët në vijim për të punuar në këtë gjë që shtetet anëtare të njohin rezultatte që janë arritur. Ju e dini që tek unë mund të mbështeteni për të arritur këtë objektiv të përbashkët. Është në interesin e Bashkimit Europian që të fillojmë procesin e hapjes së negociatave. Unë mendoj që marrëveshja e Prespës mund të jetë shembull për zgjdhjen e paqshme të mosmarrëveshjeve në rajon. Shqipëria e ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj fqinjëve të saj dhe ne do të mbështetemi tek Shqipëria që ajo të luajë këtë rol në rajon.

 

Për mua personalisht do të ishte zhgënjim nëse ky vendim nuk do të merrej tani”. 

Sa i përket bojkotit të opozitës në vend, Kryeministri Rama u shpreh se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 Qershor sikurse është parashikuar.

“Zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor dhe të jeni të sigurt që në 30 Qershor do të zgjidhen kryebashkiakët dhe këshillat bashkiakë. Ajo që ka rëndësi është se qytetarët do të votojnë në 30 qershor për zgjedhjet vendore”

, tha Kryeministri Rama. 

/tvklan.al