Kryeministri i vendit Edi Rama, në Konferencën Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime” nga Vlora është shprehur se ndërtimi i aeroportit të Vlorës do të sjellë mjaft të ardhura. Po ashtu, Rama u është drejtuar të gjithë atyre që thonë se nuk kanë bukë të hanë, duke iu thënë se do të ndërtohet një fabrikë e madhe buke pas aeroportit të Vlorës.

Edi Rama: Me ndërtimin e aeroportit të Vlorës, jua them këtë të gjithë atyre që thonë se nuk kemi bukë, ne do të ndërtojmë një fabrikë të madhe buke sepse aeroportet sjellin bukë në kuptimin simbolik sepse edhe ata që thonë nuk kemi bukë, nuk është se nuk kanë bukë me të vërtetë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është ndalur dhe tek lumi i Vlorës, për të cilin ka thënë se është një parajsë në Tokë dhe është shprehur i bindur që vlera do t’i rritet me investimet që do të bëhen atje.

Edi Rama: Lumi i Vlorës është një parajsë në Tokë dhe jam i bindur se është një hapësirë për t’u vënë në dispozicion të turizmit dhe jam i sigurt që vlera atje do të rritet në raport me investimet që do të bëhen për agro-turizëm, ashtu sikundër edhe në investimet që do të bëhen për të prodhuar ushqimin e vendit që do t’i shërbejë gjithë infrastrukturës së mikëpritjes në bregdet./tvklan.al