27 raste të reja pozitive. Kaq mjafton për kryeministrin Edi Rama për të kuptuar që tashmë kemi hyrë në zonën e zjarrit të pandemisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se tashmë armiku i padukshëm e ka kaluar barrikadën e mjekëve dhe synon të marrë jetë në vendin tonë.

“Sot kemi 27 pozitivë! Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën bluzave të bardha”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë bën thirrje për rezistencë. Ai thotë se në këto momente asgjë nuk vlen më shumë se sa jeta. Për ekonominë thotë se do të ngrihet prapë, por të vdekurit nuk ringjallen më.

“Sot ju bëj një thirrje të fortë të motivojmë të gjitha forcat shpirtërore dhe mendore brenda nesh, për të ushqyer rezistencën, duke mos harxhuar energji për asgjë tjetër! Sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më! Sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta dhe mbrojtja e jetës është qëllimi, ne jemi mjeti për realizimin e këtij qëllimi njerëzor, qytetar, kombëtar”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë i përgjigjet edhe atyre që mendonin se e keqja ka kaluar duke postuar një video, për të cilën bën thirrje që të mos e shohin fëmijët pasi ka pamje të rënda.

“Jam i detyruar t’ju jap këtë video rrëqethëse që ta shikoni si do kishim përfunduar, po të mos ishim futur më shpejt se të tjerët në mbrojtje, por edhe si, mos e dhëntë zoti, mund të përfundojmë nëse për mustaqet e Çelos hapim vrima në barrikadat tona”, shkruan Rama, ndërsa në video shfaqen trupat e viktimave në Iran, ku po hapen varre masive për ata që humbën jetën nga koronavirusi./tvklan.al