Në Ditën Ndërkombëtare të protestës së Gruas për më shumë barazi e të drejta, në mesin e qindra grave socialiste Edi Rama lajmëroi se ato do të kenë një numër të konsiderueshëm përfaqësimi në listat e sigurta të kandidatëve për deputetë.
“Burrat, ata që kanë marrë nga PS mandate, do t’i hedhim në fushë që të meritojnë mandate. Ndërsa gratë do t’i ndajmë në dy pjesë. Gratë që do ta marrin përfaqësimin në pjesën e mbyllur të listave dhe pastaj vajzat që do të jenë pjesë dhe e listave të hapura. Ndërkohë që, në listat e mbyllura ne do të kemi djem, do të kemi vajza, do të kemi gra që janë forca e së resë”, tha Rama.
Për të kuptuar diferencën mes ofertës politike të tyre me atë të kundërshtarëve kërkon të shihet koalicioni i burrave të opozitës që janë aty prej 30 vitesh si të ngecur në kohë.
“Kanë grumbulluar të gjitha rraqet mashkullore të Shqipërisë, në emër të një madhështie që Zoti e di se ku është, se gjëja më madhështore që unë shoh në atë anë janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Po e vetmja gjë madhështore”, tha Rama.
Ndërsa grave të demokratëve njësoj si dhe në fushatën e 2021, ju kërkon t’i mbajnë burrat në shtëpi në 11 Maj për të mos e rrezikuar të ardhmen europiane të vendit me një votë që shkon për një koalicion ku drejtuesi i tyre ju kërkon fëmijëve të Shqipërisë të bojkotojnë shkollën për TikTok-un.
“Një mënyrë që në vetvete u thotë të gjitha nënave nga çfarë duhet të ruhen më 11 Maj. Burrat mbajini në shtëpi më 11 Maj, jo fëmijët për të shkuar në shkollë”, tha Rama.
Rreziku tjetër që kërcënon vendin nga një votë për opozitën, Rama thotë se është për të ndërprerë luftën ndaj korrupsionit.
“Kushdo që do të hajë të tjerët pas shpine të mund të largohet nga shtëpia dhe të shkojë aty ku e meriton, kjo është rruga jonë”, tha Rama.
Nëse do duhet të zgjidhte votuesit e PS në ditën e tyre ju thotë grave dhe vajzave që do zgjidhte votën e tyre dhe ka siguri që do kishte shumicë absolute në Parlament.
“Nëse do të votonin vetëm gratë në Shqipëri ne do të merrnim 90 deputetë”, tha Rama.
Tv Klan