Rama-medias: Të mos ushqejmë frikën

Rama-medias: Të mos ushqejmë frikën

13:53 22/09/2019

Kryeministri Edi Rama ka vizituar këtë të diel në Spitalin e Traumës të lënduarit nga tërmeti i djeshëm me magnitudë 5.6 që goditi Shqipërinë.  

Në një prononcim për mediat jashtë spitalit, kreu i ekzekutivit u kërkoi edhe mediave të mos ushqejnë frikën, pasi jo çdo dëmtim i sipërfaqshëm është një shenjë alarmi.

Dhe do ju lutesha edhe atyre që bëjnë kronika nga terreni, që të luajnë një rol, të mos ekzaltojnë aspektet negative të frikës apo të ankthit, duke i dhënë proporcione të panevojshme alarmi një plasaritje në mur, apo një shkëputjeje të një fuge sizmike. Që situata ka qenë e frikshme, kjo nuk diskutohet, por që orët më pas janë orë për të ushqyer qetësinë, jo për të ushqyer frikën, edhe kjo besoj nuk ka pse të diskutohet. Po ju them përsëri, që jo çdo gjë që duket në sipërfaqen e godinave është një shenjë alarmi. Sepse godinat qëkur ndërtohen, kanë në konstruksionin e tyre edhe elementë të mbrojtjes nga kontakti. Kanë të ashtuquajturat fuga sizmike që janë enkas për këtë punë dhe kur shikojmë një pallat të shkëputur, nuk është një pallat i çarë, por është një strukturë që ka reaguar si duhet ndaj tërmetit, duke rritur fleksibilitetin e të gjithë volumit.

Ndryshe tha Rama qëndron situata për ato pallate të cilët kanë shtesa.

Për rastet kur ka shtesa, që mund të manifestojnë si një situatë kërcënimi strukturor do të jemi aty dhe do t’i verifikojmë.

Kryeministri tha se “askush nuk do të harrohet, të gjithë do të mbështeten dhe do të kryhen të gjitha riparimet e nevojshme, por duhet pak durim.”

Pas tërmetit të djeshëm në spitalin e Durrësit dhe atë të Tiranës janë paraqitur gjithsej 105 persona me lëndime të lehta të shkaktuara nga rrëzimet apo goditjet.

Vetëm 10 të lënduar janë duke qëndruar në spital ndërsa të tjerët janë rikthyer në shtëpi. /tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori