“Problemi me RMV të zgjidhet përmes dialogut”

Ndonëse për Bullgarinë Shqipëria i ka përmbushur detyrat e vëna nga Brukseli për hapjen e negociatave, Kryeministri Stefan Yanev nuk pranon asnjë ndërhyrje nga jashtë për zgjidhjen e konflikteve që vendi i tij ka me Maqedoninë e Veriut. Këtë qëndrim Janev e mbajti edhe në krah të Kryeministrit Rama me të cilin zhvilloi një takim, teksa tha se diskutimet mes Sofjes dhe Shkupit nuk duhet të ndikojnë në ecurinë europiane të të dy vendeve.

“Të mos mendojmë se Bullgaria po bën diçka që po e pengon rrugën evropiane si për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ne e mbështesim, por pozita e parlamentit bullgar sa i përket Maqedonisë së Veriut është pikërisht kjo pozitë që bullgaria e mbron. Kjo vërteton se çështjet tona të dyanshme mund të zgjidhen vetëm mes nesh. Ndërhyrja e jashtme dhe këshillat nuk janë aspak ide e mirë, pasi dy vendet duhet ta gjejnë vetë rrugën e dialogut dhe se kjo gjë duhet bërë me vepra reale.”

Edhe Kryeministri Rama theksin e vuri tek dialogu, duke u shprehur i gatshëm për t’i ndihmuar të dy vendet në zgjidhjen e konflikteve.

“Mendoj që Bullgaria si vende anëtare e BE-së është e pjekur dhe duhet të kujtojë kur ndodhej në të njëjtën pozitë dikur dhe nga ana tjetër e ftoj të nxisë së bashku me Maqedoninë dialogun. Nëse është nevoja, ne jemi gati të ndihmojmë, por ndihma jona është thjesht të themi ju lutemi flisni, komunikoni, sepse këto çështje mund të bëhen më të ndërlikuara. Besoj fort se mes dy vendeve ka mundësi për të intensifikuar dialogun,  ka kaq shumë gjëra që i bëjnë të dyja vendet kaq popuj të afërt për një të ardhme të përbashkët, pavarësisht sa të vështira janë këto çështje, por  kur ka vullnet ato zgjidhen. Asgjë s’na ndan nga konferenca e parë ndërqeveritare.”

Ky qëndrim i Kryeministrit Rama vjen në një kohë kur Tirana zyrtare i ka drejtuar sytë nga Komisioni Evropian, që mund të rekomandojë mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në Samitin e Qershorit të liderëve të BE-së. Janë më pas vendet e unionit ato që do të zgjedhin nëse do ta miratojnë apo jo ardhjen e ndonjë rekomandimi të Komisionit Evropian për dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Tv Klan