Sulmet kibernetike që ju bënë sistemit të shërbimeve publike nga Irani, kryeministrit Rama i kanë shërbyer për të dalë në konkluzionin se luftra të tilla virtuale nuk mund te fitohen nëse nuk bashkon forcat me të gjitha vendet proeuropiane.

I ftuar në një nga panelet e Forumit të Paqes në Paris për të folur mbi impaktin që patën sulmet e hakerave iranian vitin e shkuar, propozon një sistem të përbashkët europian.

“Ajo që mësuam nga e gjithë kjo është se BE duhet të mendojë seriozisht për ndërtimin e një sistemi të përbashkët të mbrojtjes kibernetike sepse sa më gjatë të qëndrojnë të ndarë këto sisteme, aq më vulnerabël bëhen. Nga ana tjetër, duke pasur një sistem mbrojtës, sa më shumë të tentosh të sulmosh një vend apo një tjetër, aq më e vështirë do të bëhej se ke përballë një asamble vendesh.”

Rama i është mirënjohës dhe ia përsëriti disa herë përfaqësuesit të Microsoftit që ishte në të njëjtin panel me të, për ndihmën, jo vetëm për të shpëtuar sistemin e shërbimeve publike, por tanimë edhe për ta forcuar atë.

Kryeministri Rama deklaroi një ditë më parë se në Forumin e Paqes do të mund të shprehë qëndrimin lidhur me atë që po ndodh ne Rripin e Gazës duke përsëritur propozimin se në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.

Sipas Rames, nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez.

Tv Klan