Kryeministri Edi Rama mori pjesë në mbrëmjen solemne përkujtimore në Otranto të Italisë, ku u prezantua edhe skulptura “Katërit e Radës”.

Në fjalën e tij, Rama vlerësoi kryetarin e Bashkisë së Otrantos për ceremoninë e organizuar.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për kryetarin e Bashkisë së Otrantos që organizoi këtë ceremoni përkujtimore, që na jep mundësinë të takohemi por edhe të mos harrojmë. Duke mos harruar na jep mundësinë që të kemi një projektim në të ardhmen që mbështet në këtë kujtesë. Jam me të vërtetë i kënaqur që kam mundësinë të shoh nga afër këtë vepër, vepër e cila është konceptuar nga një artist i madh. Kam nderin ta njoh këtë artist dhe ta admiroj atë. Një realizim artistik ky që do të thotë shumë për mua, për ne shqiptarët, diçka e cila na bën të mendojmë për ato gra, ata fëmijë që humbën jetën e tyre në këtë anije, por na bën të reflektojmë mbi fatin e madh që kemi pasur dhe që kemi, fatin që jemi pranë Italisë dhe veçanërisht pranë Puglia. Mendoj që është e nevojshme të shpreh falenderim të veçantë për të gjithë rektorët e universiteve puljeze që janë të pranishëm, se ata janë duke na ndihmuar që të mund të arrijmë të realizojmë një ëndërr. Është ëndrra e mundësisë së hapjes së universiteteve shqiptare dhe t’i japim mundësi studetëve shqiptarë që të studiojnë në universitet puljeze pa pasur nevojë që të largohen nga Shqipëria”.

Dhe duke kujtuar historinë, Kryeministri Rama solli sërish në vëmendje faktin mikëpritjes në Shqipëri të refugjatëve afganë të cilët largohen nga vendi i tyre.

“Fakti që është Shqipëria ajo që duhet të presë më shumë refugjatë afganë se sa shumë vende të tjera të pasura evropiane por ne nuk e bëjmë për asnjë arsye tjetër veçse për të nderuar historinë tonë. Të nderosh këtë hisotri është një detyrim i madh. Është e rëndësishme ta bëjmë këtë gjë sot për fëmijët tanë, sepse vendi ynë nuk është kaq i pasur. Por kjo është një pasuri shumë më e rëndësishme që duhet të trashëgohet nga fëmijët tanë, humanizmi. Ndjenja e të qenit udhëtar, e të mos qenit apo ndjerit pronar të kësaj toke ku për një periudhë të caktuar kohe kemi fatin të jetojmë, por ku kemi ende detyrimin që të mendojmë se toka u përket atyre që do të vijnë pas nesh. Shpresoj shumë që të mos vijë kurrë në Shqipëri dita kur zhgënjimi, ndjenja e margjinalizimit apo ato që janë probleme psikologjike të shoqëerisë sonë të mund të jenë një arsye për ty mbyllur derën atyre që kanë një nevojë”. /tvklan.al