I ftuar këtë të enjte në studion e “Opinion” në Televizionin Klan, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti gatishmërinë e tij për plotësimin e kërkesave të studentëve, por theksoi se për realizimin e tyre duhet dialoguar. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk është kundër me pikat e studentëve dhe të gjitha duhen marrë një nga një për t’u realizuar.

E për t’i marrë të gjitha pikat një për një, Kryeministri shkoi pranë Blendi Fevziut me shkop në dorë, për të shpjeguar çdo kërkesë të studentëve nga videowall-i në studion e “Opinion”.

Blendi Fevziu: Karta e studentit?

Edi Rama: Karta e studentit duhet të ishte bërë, edhe kjo i kërkohet Kryeministrit, s’ka problem, edhe këtë do ta bëjmë.

Blendi Fevziu: Kur?

Edi Rama: Do ta fillojmë menjëherë…

Andi Bejtja: Do fillojmë Rilindjen nga e para prap tani…

Edi Rama: Kjo do të jetë Rilindja e dytë dhe do të jetë më e fortë… po të lajmëroj, për fatin e keq të gjithë atyre që e nxitën në fillim këtë protestë, kjo do jetë Rilindja e dytë dhe jo vetëm e universitetit.

Blendi Fevziu: Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane? Po u rrit buxheti bëhet.

Edi Rama: Biblioteka shkencore, dixhitale e universitetit është gati në Janar.

Blendi Fevziu: Vetting-u i pedagogëve?

Edi Rama: Edhe kjo është një gjë që duhet diskutuar. “Po” nuk diskutohet, por “Si”. “Si”-ja duhet diskutuar.

Teksa merrte pikat me radhë, Kryeministri u kthye nga kamera dhe iu drejtua studentëve me këto fjalë:

“Të 8 pikat janë Po. Tani mos dëgjoni më të gjithë ata që ju thonë se është virtyt të mos dialogosh dhe është qytetari t’i thuash jo dialogut. Hajde ulemi, jeni qytetarë… dhe nëse doni mos e bëni si ai personazhi i Ismail Kadaresë, që ishte gati të vriste veten që t’i bëhej një këngë”.