Në një komunikim virtual me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, kryetari i PS Edi Rama u ka kërkuar atyre që të fokusohen në betejën elektorale dhe të mos ndikohen nga sondazhet.

Pa sulmuar nuk ka lënë opozitën, për të cilën tha se janë “kundërshtarët më të çorganizuar” nga të cilët duhet të bëjnë kujdes.

“Harrojini sondazhet, harrojini avantazhet, harrojeni sa shumë kemi bërë në këto dy mandate dhe harrojeni dhe sa shumë kemi punuar në terrenin organizativ, sepse ndeshja jonë fitohet kur hyjnë të gjitha votat në kuti dhe deri në atë moment jemi barazim 0 me 0. Prandaj të fokusohemi tek detyra jonë si individë dhe si skuadër, tek programi i punës tonë, qytet më qytet, fshat më fshat, rrjet social më rrjet social, media më media, në çdo dritare të mundshme komunikimi. Kijeni mirë parasysh, që problemi ynë më i madh në këtë ndeshje janë kundërshtarët e çorganizuar që deri më tani kanë bërë gjithçka për ta humbur ndeshjen, programe pa lidhje, lidership pa karakter dhe një ekip i “mosozotshëm”, Luli si roje parkingu, me Monikën që i bie borive për ta ndaluar autokolonën tonë drejt fitores. Janë problem një skuadër e tillë pasi duhet të gjesh fuqi ekstra për t’u motivuar deri në fund, dhe motiivmin nuk mund të na e japin ata, fokusoheni tek objektivat. Pasojeni topin sa më shumë tek njëri-tjetri, të gjithë në sulm, të gjithë në mbrojtje të arritjeve të përbashkëta. Të gjithë në sulm për drejtësinë e të ardhmes, për ekonominë e të ardhmes, në sulm për të mbrojtur popullin nga taksa e sheshtë, në sulm për të zeruar taksën mbi pagat deri në 400 mijë Lekë. Në sulm për të mbrojtur mësuesit, për të mbrojtur infermierët nga rikthimi i shpatës së partive dhe për të rritur më tej pagat dhe për të përmirësuar pagat. Në sulm për të mbrojtur drejtësinë e re nga Saliu, Iliri, Monika dhe KÇK. Në sulm për mbrojtur Shqipërinë nga rigremisja dhe për ta çuar atdheun tonë në një nivel tjetër kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Në sulm për të rihapur rrugën e re të Shqipërisë me 4 aeroporte, vepra të mëdha që janë në proces dhe që do të kontribuojnë për ta ndrysuar faqen e atdheut tonë për të rritur ekonominë”, u shpreh Rama.  

Fjalën e tij Rama e nisi me falenderimin për dy zonjat që kryesojnë listën e Tiranës së socialistëve, inxhinieren Luljeta Bozo dhe mjeken e Infektivit Najada Çomo, të cilat i ka konsideruar si ikonat e dy fatkeqësive që goditën Shqipërinë gjatë viteve të fundit, tërmetin dhe pandeminë.

“Faleminderit të gjithëve ju për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre kombëtare me PS. Faleminderit Luljetës, faleminderit Najadës në radhë të parë, dy heroinave të kësaj kohe të jashtëzakonshme, dy grave të forta, dy grave pasionante, dy grave profesioniste. Dy përfaqësuese të denja që janë në këtë skuadër, mishërim i dy kategorive më të prekura nga furtunat e kohës, pensionistëve dhe bluzat e bardha. Me shumë mirënjohje për të dyja dua që të gjithë ta shohin dhe ndjejnë arsyen e fortë pse këto dy mikesha të shqiptarëve janë këtu me ne sot dhe do të jenë me ne në rrugëtimin që vazhdon. Deputetja e të gjitha gjysheve dhe gjyshave. Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë pensionistët do të përfaqësohen nga një prej tyre. Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë do të ulet një stërgjyshe, e cila nuk do të jetë në këtë rrugë vetëm për këto cilësi, por edhe për një cilësi tjetër, cilësia e një njeriu që ka jetuar me profesionin e vetë dhe që ka shkëlqyer në profesionin e vetë. Luljeta Bozo është një frymëzim, ajo dëshmon nga njëra anë se mosha e vërtetë është mosha e shpirtit, është mosha e mendjes të cilat Luljeta i ka të mbushura me rini, dhe nga ana tjetër dashuria për atdheun nuk kanë kufij moshe. Nga na tjetër Najada është deputetja e heronjve shqiptarë në vijën e zjarrit të kësaj lufte të pamëshirmshme. Është përfaqësuesja e një përpjekje tërësore ku humbën jetën disa kolegë dhe kolege të saj në këtë betejë të egër. Faleminderit të dyjave”.

Një falenderim e bëri edhe për ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, drejtuesin politik të PS në Qarkun e Gjirokastrës, për të cilin tha se kërkoi vetë që të vendoset në kufijtë e listës, në vendin e 3.

“Dua ta veçoj këtu Bledi Çuçin, kapitenin e skuadrës tonë në Gjirokastër që na mbajti më shumë se sa 20 minuta në Kryesi duke këmbëngulur që të mos qëndronte të objektivi bazë por tek objektivi i kufirit maksimal. E solla si një shembull të prekshëm të pasionit dhe përkatësisë ndaj skuadrës,  si shembullin e dikujt që është në krye të një skuadre si ajo e Gjirokastrës dhe me parametrat e zakonshëm kërkoi që të rrezikojë deri në fund duke kërkuar që të vendoset i treti”.  /tvklan.al