Më shumë se lufta ndaj krimit, Kryeministri kërkon që policia të reagojë për të ndryshuar perceptimin që opozita dhe media kanë krijuar për uniformat blu, nisur edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit si ajo e vrasjes në ish-bllok apo çështja e Xhisiela Malokut.

“Puna juaj është të kundërpërgjigjeni ndaj kësaj barbarie politike dhe mediatike me fort dhe më qartë se asnjëherë, me shumë më tepër rezultate se deri më sot, në çdo drejtim dhe shumë më shpejt se deri sot”.

Vlerësimin e tij për punën e policisë e bazon në krahasimin e statistikave me vendet europiane.

Kreu i qeverisë solli si shembull të baltës mbi policinë vorbullën e krijuar nga deklarimet e ish-oficerit të policisë Emiljano Nuhu, se u kërcënua në komisariat nga vëllai i deputetit, Rrahman Rraja.

“Ku ishte drejtori i SHÇBA kur shpifësi me uniformë i solli me shkrim shpifjen e tij? Pse nuk reagoi kur u bë letra. Pse u la një shpifës brenda radhëve të policisë, siç u krijua dhe hodhi shpifjen në kazanët e duhura dhe në pas kërkoi azil. Pse iu mohua publikut shqiptar kamera e komisariatit, ndërkohë që në kamera është parë e gjithë e vërteta. Unë nuk e pranoj dot këtë që një provë aq vrastare për gjithë mizërinë e llafeve, nuk i jepet publikut dhe çohet në prokurori dhe aty mbyllet e papërdorshme se është provë hetimore”.

Ashtu si qeveria, edhe policia nuk duhet të replikojë me shpifësit, theksoi Kryeministri, por duhet t’u drejtohet gjykatave. Pavarësisht perceptimit mbi punën e uniformave blu, Rama u kujtoi krerëve të policisë se ka objektiva që ende nuk janë përmbushur në raport me krimin.

“Nuk dua i dashur drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të na përmendë ambasadorja e re amerikane se kemi ende pa arrestuar Klemend Balilin, ashtu si nuk dua të jenë në detyrë drejtorë e shefa, në zona apo pika ku uniforma dhe dinjiteti vihet në diskutim nga persona të tillë dhe makinat e pordhës së tyre, po as nga kundërvajtësit që gërryejnë lumenj, presin pemë, hedhim inerte”.

Në takimin me oficerë të policisë, Kryeministri tha se 3 vitet e ardhshme janë vendimtare për ta çuar policinë në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian.

Tv Klan