Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit u ka dërguar një mesazh të qartë ndërkombëtarëve, teksa tha se Kuvendi i Shqipërisë është sovran dhe vendimet merren vetëm nga të zgjedhurit e popullit.

Duke i falenderuar për ndërmjetësimin në dialog mes palëve politike, Rama sqaroi se ky do të jetë episodi i fundit, sa kohë ai të jetë në krye të PS, ku bëhet një dialog shqip me përkthyes në ambasada të huaja.

Numri një i PS në fund të fjalës së tij, ritheksoi se do t’i qëndrojë marrëveshjes së bërë më 5 Qershor me opozitën jashtëparlamentare, por nga ana tjetër po ashtu do t’i qëndrojë edhe marrëveshjes së miratuar mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare.

“Dua t’u them të gjithëve, miqve tanë ndërkombëtar, këtu në Shqipëri, në Tiranë, që nga përfaqësuesja e nderuar e SHBA që u vu në dispozicion në një proces jashtëzakonisht të vështirë, hapi dhe derën e shtëpisë së saj meqë parlamenti ishte një godinë e papranueshme për Bashën dhe ata që e braktisën, përfaqësuesit e nderuar të BE dhe të Britanisë së Madhe, të cilët edhe personalisht e lehtësuan komunikimin, në episodin e fundit, më dëgjoni me vëmendje…. në episodin e fundit për sa kohë unë do të jem kryetar i Partisë Socialiste, ku bëhet dialog shqip me përkthim nëpër ambasada të huaja, dua t’u them se parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe do të vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar këtu në këtë sallë dhe ekzaktësisht në respekt të marrëveshjes së 5 Qershorit nga njëra ana dhe në respekt të më shumë se 80% të shqiptarëve, që duan të zgjedhin edhe deputetin dhe jo vetëm partinë. Këto të dyja janë një fakt me të cilin të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të jetojnë”. /tvklan.al