Kryeministri Edi Rama uroi ditën e Pavarësisë së Kosovës për të gjithë shqiptarët. Në një postim në rrjetet sociale, Rama uroi që kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë të jetë i përjetshëm.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij, Meta thotë se kjo etapë e re konsolidimit të shtetit të Kosovës do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vëllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona.

Ndër të tjera Presidenti Meta thotë se ka besim se Kosova do të mundësojë edhe finalizimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare. Unë do të vazhdoj të jem përkrah jush në këtë rrugëtim që kërkon përkushtim dhe punë të palodhur të të gjitha institucioneve të Kosovës. Njëkohësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës. Me urimet më të sinqerta për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, dhe dëshirën e forcimit të marrëdhënieve tona vëllazërore në të gjitha rrafshet, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, thuhet në letrën e Metës.

Edhe kryeministri Edi Rama uroi ditën e Pavarësisë së Kosovës përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Urime ditën e bekuar të Pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkruan Rama në Facebook.

Ditëlindjen e 12 të Kosovës e uroi edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai shprehu angazhimin e tij se si kryetar opozite sot dhe nesër si kryeministër, Kosova dhe aspirata e Shqipërisë për integrimin do të jetë misioni më i madh.

“Këto nuk  kanë qenë vite të lehta për Kosovën,sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit. Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh. Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjëherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë”, thotë Basha./tvklan.al