Kryeministri: Deklaratat e Metës nga Vlora qesharake, i kanë bërë llogaritë gabim me mua

“Kalimera Olos!” Kështu e nisi kryeministri Rama fushatën për komunitetin grek në zonën e Dropullit, për të vazhduar më pas me situatën e nxehtë të krijuar në vend, pas bllokimit të aeroportit të Rinasit.

“Të marrin peng jetën e vendit se jemi të stresuar, se i kemi pagat 2 mijë e 400 dollarë dhe jemi të stresuar nuk punojmë dot. Çfarë duhet të thonë këtu mjekët dhe infermierët e pavioneve Covid-19 të Shqipërisë”, tha Rama.

Kaosi i krijuar në aeroport sipas kryeministrit ka 3 shkaktarë, të gjithë pjesë e kampit kundërshtar.

“Kjo që ndodhi në aeroport është filozofia, vizioni, qasja ndaj shtetit si plaçkë. Plaçkitje dhe pengmarrje. Merr peng shtetin që ta kthesh pushtetin në një mjet plaçkitje”, u shpreh Rama.

Deklaratat e presidentit Meta i konsideron qesharake, ndërsa vëmendjen ia ka tërhequr heshtja e Lulzim Bashës.

“Ku është Lulzim Basha, çfarë mendon ai për çështjen e aeroportit, çfarë mendon ai për bllokimin e këtij aktiviteti jetik, për pengmarrjen e kullës së kontrollit ajror? Hesht dhe vazhdon takimet nëpër vatrat e infektimeve që krijon”, tha Rama.

Me bindjen se kundërshtarët i kanë bërë llogaritë gabim, kryesocialisti kërkon edhe njëherë reflekimin e bojkotuesve të punës në Aeroportin e vetëm në Shqipëri, i cili që prej të mërkurës i ka mbyllur dyert.

Klan News