“Do e ndëshkojnë shqiptarët në 25 Prill”

Kur pyetet për Ilir Metën, Kryeministri Edi Rama aktivitetet e Presidentit të Republikës i cilëson veprimtari ilegale dhe në shërbim të qëllimeve politike.

“Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sy të të gjithëve, Meta nuk është në lartësinë që i ngarkon Kushtetuta, por edhe në çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humb marrëdhënien nga trutë e kokës”.

Çdo deklaratë të kreut të shtetit e sheh si sulm ndaj qeverisë, ndaj dhe ndëshkimi thotë se do t’i vijë në 25 Prill nga vota popullore.

Një President që bën propagandër kundër qeverisë që flet me një gjuhë rruge që lëviz ditën e natën për qëllime elektorale që e ka vënë zyrën e Presidentit në dispozicion të partisë që e menaxhon e shoqja e çdo dite humbet nivel në raport e detyrën s’ka nevojë ta komentoj unë se të gjithë e shohin dhe do e dënojnë në 25 Prill”.

Akuzat për vaksinimin e personaliteteve mbi 80 vjeç i cilëson të turpshme, teksa thotë se qeveria po punon për të siguruar sa më shumë doza vaksinash.

“Nuk kam thënë asnjëherë që do vaksinohen personalitete që janë jashtë kësaj kategorie. Kjo është një zallamahi e krijuar nga zëdhënësit e opinionit publik. Ne po luftojmë ditë dhe natë për të marrë dozat e vaksinave. Duhet të provojmë që kur të bie një hall në vend, ka vetëm një adresë dhe ajo është PS-ja dhe Edi Rama”.

Opozitës ia la të hapur mundësinë pas kërkesës së kësaj të fundit për të shtyrë afatin e kartave të identitetit të skaduara deri në 25 Prill.

Kur bëhet fjala për zgjedhjet, zgjedhjet janë të përbashkëta, rregullat janë bashkërisht dhe çdo propozim i arsyeshëm që secila palë bën dhe është në interes të procesi zgjedhor, është i mirëseardhur. Bën sens dhe do të trajtohet me seriozitetin e duhur që të gjitha palët të jenë të barabarta”.

I bindur është në fitoren e 25 Prillit teksa thotë se mandatin e tretë sërish socialistët do të marrin pa pasur nevojën e asnjë koalicioni, duke ironizuar kundërshtarët e tij në kampin blu.

“Në kampin tjetër po punohet për një hibrid të pangrënshëm dhe të patretshëm”.

Këto deklarata Rama i bëri pas një takimi që zhvilloi me drejtuesit e qarqeve ku tashmë socialistët kanë nisur edhe punën për seleksionimin e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Tv Klan