Brenda Marsit vijnë 40 mijë dozat e Pfizer

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Presidentin Ilir Meta se ka shpërdoruar postin në krye të shtetit për të shërbyer në favor të LSI-së. Gjatë vizitës në Vlorë ku ndodhej për të parë nisjen e procesit të vaksinimit, Rama tha se Meta ka shkuar në këtë qytet “natën me makina pa protokollin përkatës”. Sipas kreut të qeverisë, Meta e ka kuptuar që zgjedhjet kanë për të qenë një katastrofë për LSI-në.

“Presidenti ka kohë që s’është më President. Është thjesht një shpërdorues i funksionit të Presidentit në favor të ndërmarrjes që administrohet formalisht nga e shoqja. E mirëkuptoj sepse vjen në Vlorë natën fshehurazi shkon lart e poshtë natën. Shfaqet me makina pa as protokollin përkatës. Takon njerëz po mesa duket jo aq shumë dhe i duket e zbrazur komplet Shqipëria sepse shumë pak njerëz tanimë besojnë tek LSI-ja. Në këto kushte duhet ta mirëkuptoni të gjithë se i duket si një katastrofë sepse në fakt sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do të jenë një katastrofë për LSI-në”, tha Rama.

Nis vaksinimi në Vlorë, Rama: Brenda Marsit vijnë 40 mijë dozat e Pfizer

Pas Tiranës e Shkodrës, këtë të enjte ka nisur vaksinimi edhe në qytetin e Vlorës. Në ditën e parë të nisjes së këtij procesi, i pranishëm ishte Kryeminitri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në një prononcim për gazetarët, Rama tha se procesi do të shtrihet intensivisht ditë për ditë, duke nisur me mjekë e infermierë për të vijuar tek të moshuarit.

“Do shtrihet intensivisht ditë për ditë, në gjithë rrjetin e mjekëve dhe infermierëve dhe shumë shpejt të gjithë do të jenë të vaksinuar. Po ashtu do të mbarojë shumë shpejt edhe për të moshuar, në shtëpitë e të moshuarve. Ditën e diel do të vazhdojmë me disa personalitet 80 e lart që do të vaksinohen për të filluar me këtë kategori”.

Rama tha gjithashtu se brenda muajit Marsit pritet të vijnë 40 mijë dozat e Pfizer.

“Ndërkohë vazhdojmë përpjekjen për të siguruar sasi të konsiderueshme vaksinash në vijim. Ndërkohë që brenda muajin Mars do të kemi 40 mijë dozat e Pfizer”./tvklan.al