I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Edi Rama, ndaj deklaratës së Presidentit Ilir Meta për ndryshimet kushtetuese. Me po të njëjtat tone të ashpra, Kryeministri i kujton Presidentit se arsyeja përse nuk u shkarkua nga parlamenti ishte në respekt të Komisionit të Venecias dhe se sipas kësaj të fundit kreu i shtetit është shkelës përsëritës i Kushtetutës.

Reagimi i plotë i Ramës;

Ilir, ti je një shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venecias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit!

Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!

Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!/tvklan.al