Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta, pas letrës që ky i fundit i kishte dërguar Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me situatën e COVID-19.

Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se Meta nuk ka asnjë kompetencë të merret me menaxhimin e situatës së pandemisë, dhe i bën thirrje që të mbajë maskë kur del në publik.

“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia, mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh!”, shkruan Rama.

Më tej kreu i qeverisë shton se janë ekspertët ata që vendosin për hapat që merren dhe i bën thirrje që të mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë në këtë betejë.

“Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit. Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta!

Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse!”, vijon postimin Kryeministri.

Më herët Presidenti publikoi një letër që i ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me situatën COVID. Meta kërkon që të merren masa të menjëhershme pasi situata mund të shkojë drejt katastrofës./tvklan.al