Mungesa e saj në tryezë i intereson vetëm Serbisë

Kryeministri Edi Rama u ka kthyer përgjigje kritikëve për mospërfshirjen e Kosovës në tryezën e Minishengenit. Ai sqaron në një reagim në Facebook se marrëveshjet nuk bëhen në dëm të Kosovës. Thotë se kjo mungesë i intereson vetëm Serbisë.

“Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës”.

Kreu i qeverisë thotë se lëvizja e lirë e njerëzve në rajon është një nga qëllimet e Minishengenit, që është pranuar dhe nga lideri i Serbisë.

“Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe””

Kryeministri Rama shprehet i bindur që Kosova do të ulet në tryezën e Minishengenit pasi të jetë formuar qeveria e re.

“Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po jua shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju”.

I kujton të gjithë kritikëve deklaratat që bëri në Beograd, ku i kërkoi presidentit Vuçiç të njoh Kosovën si shtet të pavarur. Rama thotë se Serbia duhet të çlirohet nga fantazmat e së shkuarës e të njoh këtë shtet.

Tv Klan