Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë ka folur për blerjen e vaksinave. Rama u shpreh se dhe vendet Evropiane kanë nisur të shohin për mundësinë e blerjes së vaksinave kineze apo ruse, pasi kompanitë që janë në Evropë dhe SHBA nuk arrijnë ti furnizojnë dot.

Lidhur me mundësinë e blerjes nga Shqipëria të vaksinës së prodhuar në Kinë apo Rusi, ai tha se nuk është çështje gjeopolitike, por nuk mund të blihen dot se s’ka në treg të tilla për t’u aksesuar lehtësisht.

“Deri dje kënga ime thoshte çdo gjë bën vaki jetojmë në Tiranë. Tani po ta ribëja këngën do thoshte çdo gjë bën vaki jetojmë në Europë. Por nuk më rezulton për momentin. Madje më rezulton e kundërta, që Europa ka filluar të mendojë dhe disa vende europiane, Gjermania për shembull, që është lokomotiva e Europës, ka filluar të hapi dialogun me Kinën dhe me Rusinë për vaksinat kineze dhe ruse. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Duket e paimagjinueshme që kontinenti më i pasur edhe më i fuqishëm i planetit të gjendet në këtë situatë, por në këtë situatë gjendet. Siç dukej e pabesueshme që momenti i shpërthimit të epidemisë i kapi gafil të gjithë dhe gjunjëzoi të gjitha shtetet pavarësisht sa të pasura, e sa të mëdha e sa të organizuara janë, por ishte fakt, kështu është edhe me vaksinën.

Sigurisht që duhet thënë që bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord dhe ka thyer çdo parashikim në shpikjen e vaksinës për Covidin, sepse normalisht deri më sot nuk ishte parë që një vaksinë të shpikej, të testohej dhe të futej në përdorim në një kohë kaq të shkurtër, dhe sigurisht kjo i dedikohet zhvillimit marramendës të shkencës e të teknologjisë. Por këtu jemi në kushtet kur pak kompani, faktikisht sot janë 4 kompani me gjithë kompaninë e fundit amerikane që u aprovua, dhe është gjitha bota që do vaksina. Po të shtojmë dhe kinezen dhe rusen bëhen gjashtë. Kështu që nuk jam aspak i bindur që mund të ndodhë, por çdo gjë mund të ndodhtë në këtë Europë.

Ajo që për ne ka rëndësi është që ne të bëjmë atë që duhet për njerëzit dhe një gjë duhet të shtoj këtu, sepse ka shumë njerëz që kujtojnë se mosmarrja e vaksinave kineze apo ruse nga ne është çështje gjeopolitike. Jo nuk është kështu. Vaksinat nuk janë treg, nuk kanë dalë në treg që shkon atje dhe i blen. Vaksina nuk ka! Kaq e thjeshtë është. Të gjitha vaksinat janë në sasi shumë më të vogla se sa nevojat e atyre që i kanë. Kur Amerika nuk ka vaksina sot për të mundur të thotë që po jap edhe një dozë jashtë Amerikës, por përkundrazi është e gjitha e fokusuar për t’i prodhuar dhe nuk i ka akoma sasitë, Amerika nuk i ka vaksinat stok edhe vazhdon vaksinimin, Amerika prodhon vaksinon. Imagjinoni të tjerët. Dhe nuk është vaksina kineze që ka dalë në treg dhe pse nuk po shkojmë ne ta blejmë. Nuk është as çështje çmimi. Çmimet kanë shkuar në stratosferë sot, por s’është as çështje çmimi. Ne për vaksinat do lëmë çdo gjë tjetër. Të gjitha këto diskutime që bëjmë ne, vijnë mbrapa dhe vaksinat janë të parat, por nuk janë, nuk ka. Dhe lufta që bëhet është pikërisht lufta për të marrë nga ato që ka, që nuk ju mjaftojnë as atyre që i kanë. Është një luftë e tmerrshme tregtare me kompleksitet të hatashëm.

Unë jam shumë krenar që ne sot nuk jemi në kushtet e disa vendeve të tjera edhe në rajon që akoma s’kanë bërë asnjë gjilpërë. Po mbarojmë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, kemi filluar me vaksinimin e + 80-vjeçarëve, sigurisht që nuk mjafton fare, por ama po ecim. Deri përpara pak ditësh, tani nuk e kam parë raportin e fundit, 140 shtete të botës nuk kanë bërë asnjë vaksinës. Deri para pak ditësh, 70% e prodhimit botëror të vaksinave është në dorën e 10 shteteve dhe gjithë pjesa tjetër e botës lufton për të kapur doza brenda një 30%, shumë pak. Është shumë shumë pak. Europa në këndvështrimin tim e ka të pamundur që të vendosë një kusht të tillë. Sepse faktikisht Europa sot ka problemin që nuk ka të garantuar vaksinat e veta nga kompanitë jo kineze dhe jo ruse. Nuk i ka. Dhe po të shikoni debatet që bëhen të gjitha vendet, përjashto Britaninë e Madhe e cila nuk është më pjesë e Bashkimit Europian, përjashto Izraelin, të gjitha vendet e tjera të kësaj ane të kësaj hemisfere, midis popullit edhe qeverive ka tension. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshmërinë dhe nuk ka garantuar shpejtësinë e vaksinimit të atillë që njerëzit të jenë OK.

Në Izrael dhe në Britaninë e Madhe ka ndodhur kjo për arsye komplet të tjera. Izraeli vuri një bast siç dinë vetëm hebrenjtë ta bëjnë, s’është e rastësishme që e kanë diktuar në shumë gjëra fatin e botës historikisht. Izraeli parableu përpara aprovimit me 3-fishin e çmimit Pfizer dhe Modernan. Dhe bëri një marrëveshje me Pfizer që është spektakolare për nga basti, por edhe për nga rezultati. I doli basti, mori rezultatin. Por është Izraeli. Të tjerët janë të gjithë në të njëjtën situatë. Në vendet e Gjirit janë pak më mirë se vendet e Europës, por dhe në vendet e Gjirit… E imagjinoni dot ju për shembull një vend si Arabia Saudite mos jetë në gjendje të ndihmojë asnjë? Është e pamimagjinueshme. Këtu flasim për një nga vendet më të pasura të botës. Megjithatë nuk hyj tek ata që dorëzohen dhe kam shumë besim që diçka do ta bëjmë dhe besoj do ta bëjmë shpejt”.   /tvklan.al