Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të dielë pikat e ngritura në sheshin “Skënderbej” ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve mbi 70 vjeç. Kreu i qeverisë u shpreh se vaksinimi i ka çliruar të moshuarit nga stresi dhe kjo është një prej kënaqësive më të mëdha që ai ka marrë personalisht nga momenti që është marrë me politikë.

Rama theksoi edhe një herë se brenda Majit synohet që të vaksinohet gjysmë milioni qytetarë, ndërkohë që nënvizoi se vaksinimi i gjithë popullsisë mund të kryhet para Pranverës së ardhshme.

Ndër të tjera Rama u shpreh se nuk do të kërkohet që të jetë kryer vaksina për turistët që do të hyjnë në Shqipëri.

Edi Rama: Tanimë u hap rruga për vaksinimin masiv, të shpejtë, të gjitha qendrat shëndetësore në territorin e Republikës së Shqipërisë aktualisht kanë filluar vaksinimin. Janë edhe këto pika që ndihmojnë për të rritur intensitetin. Objektivi ynë është që brenda muajit Maj të kemi të vaksinuar gjysmë milionë qytetarë. Kemi vënë një afat Qershorin, për çdo eventualitet që të mos na thoni mbrapa që s’e mbajtët fjalën, sepse na mësoi eksperienca që ka gjëra të paparashikuara por besoj që brenda Majit do të do të kemi gjysmë milioni qytetarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejt pasi kemi siguruar sasi të konsiderueshme. Vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhen zinxhirit të infektimeve. Mbetemi të bindur që deri në Pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar e gjithë popullata, por për sa më takon Ogerta thotë ‘mos e thuaj’, mendoj që do ta bëjmë edhe më parë. Do ta tejkalojmë edhe atë afat.

Si, me tre turne do të vaksinohen?

Edi Rama: Në katër turne. Ne do të jemi në dispozicion non stop, pastaj njerëzit janë të lirë të vaksinohen duan të vaksinohen, s’duan të vaksinohen. Mos ua qani hallin atyre që mezi e kanë pritur këtë ditë sepse siç e patë edhe këtu, ndihen shumë të çliruar psikologjikisht pasi sidomos për moshat më të thyera është realisht një stres i jashtëzakonshëm dhe jeta e tyre është shtrënguar në mënyrë të jashtëzakonshme. Çlirimi i tyre nga ky stres është ndoshta kënaqësia më e madhe që kam marrë kur merrem që kur merret me politikë.

Ju keni deklaruar që gjatë sezonit turistik do tentojmë të sjellim sa më shumë turistë në Shqipëri?

Edi Rama: Nuk kam thënë do të tentojmë kam thënë që të gjithë do të vijnë në Shqipëri.

A do të kërkohet për ta që të kenë bërë vaksinën për ata që do të vijnë në Shqipëri?

Edi Rama: Jo nuk do të kërkohet./tvklan.al