Edi Rama është i bindur në fitoren e padiskutueshme të 11 Majit, por ai nuk do thjeshtë një mandat për të krijuar kabinetin e ri qeveritar, por një shumicë absolute në Parlament.
“71 deputetë, Partia Socialiste nuk diskutohet, çështja është që Partia Socialiste të marri një mandat të fortë që mos të ketë më asnjë luhatje procesi dhe mos t’i dali njeri përpara negociatave, mos t’i dali njeri përpara Bashkimit Europian”, shprehet Rama.
Madje është i bindur se dhe mandati pasardhës kur do të finalizohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE i takon Partisë Socialiste ndonëse drejtuesi i saj në 2030 mund të mos jetë ai vetë.
“S’jam unë në 2029, mbaron mandati im në 2029 kemi kryer punë ne, kemi kryer punë. Pak a shumë ratifikimi merr një 2-vjeçar, unë besoj që do të bëhet edhe më shpejt këtë herë për shkaqet që dihen, por kemi kryer punë ne. Dhe a jam unë që shkoj atje dhe ulem për herë të parë te ajo Albania apo është dikush tjetër, kjo nuk ka pikë rëndësie, unë ama do ta vë atë Albania atje, do ta vë aty edhe do ta marr përdore, kush të jetë, ca do që të jetë ai që do të jetë unë besoj që do të jetë socialist, mund të jetë dhe socialiste, por do e marr përdore e do t’i them ulu tani, edhe vazhdoni ju gjenerata e Tik-Tokut drejtoni Shqipërinë”, thotë Rama.
Në komunikimin “Sy m’Sy” replikoi si gjithmonë me ata që e akuzojnë se ka vjedhur dhe s’ka bërë asnjë punë në 12 vite .
“Je totalisht i marrë peng nga këneta. Nuk kam lidhje fare unë me këto vjedhjet që flet ti”, tha Rama.
Si shembullin e transformimit fal vizionit të tij dhe të zgjedhurve të tij në krye të bashkive sjell Lezhën për të cilën premton ashtu si Pjerin Ndreu se do ta bëj bregdetin e saj shumë shpejt të ngjashëm me atë spanjoll.
“Projektet që po bëhen nën hyqmin e të madhit Pjerin Ndreut atje, kryetarit të bashkisë së Lezhës për zhvillimin e turizmit janë spektakolare dhe bregdeti i Lezhës siç e ka thënë Pjerin Ndreu se duhet cituar korrekt Pjerinin, do të jetë si bregdeti i Spanjës, këtë di të them unë për Lezhën”, deklaron Kryeministri.
Tv Klan