“Sprapsja si hije përkundrejt idealeve, pikëlluese”

Kryeministri Rama përtej kritikave për mungesën e gatishmërisë së vendeve të NATO-s për të mirëpritur afganët që u evakuuan nga Kabuli, nuk ngurron të shprehet se në sytë e këtyre njerëzve që duan t’i shpëtojnë regjimit taleban aleanca më e madhe politike ushtarake të duket pa shtylle kurrizore.

“Vetëm pak javë më parë, të gjitha këto vende, si anëtare të NATO-s ishin burimi kryesor i mbështetjes për popullin e Afganistanit, ndaj sprapsja si hije përkundrejt idealeve, parimeve dhe premtimit të lirisë që iu dhamë përgjatë dy dekadave është pikëlluese dhe shfaqja e aleancës ushtarake më të fuqishme në botë, e ngritur për t’i ruajtur këto ideale, si një organizatë pa shtyllë kurrizore në sytë e afganëve dhe miliona të tjerëve tjetërkund, të cilët dëshirojnë të jetojnë në shoqëri të lira, të drejta e demokratike, nuk është ajo çka duhet të ndodhë, nuk duhet të jetë kështu”. 

Në intervistën e dhënë për Radio BBC ripërsërit arsyet e vendimit për të pranuar afganët për strehim të përkohshëm edhe pse periudha e qëndrimit është ende e paqartë dhe nuk përjashton mundësinë që disa edhe mund të qëndrojnë në vendin tonë.

“Arsyetimi për gjithë këtë është se këta njerëz kanë mundësi të kualifikohen për të marrë vizë e për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka e bën qëndrimin e tyre teorikisht të përkohshëm, por, së pari, mendoj se do të duhet kohë për këtë, pasi me kaq shumë njerëz sa janë nxjerrë jashtë vendit nga avionët amerikanë e që duhet të kalojnë procesin e shqyrtimit në pjesë të ndryshme të Evropës e tjetërkund, kjo do të kërkojë kohë. Së dyti, çfarëdo që të duhet, për gjithçka që do të duhet, ne do t’u gjendemi”.

Kryeministri shqiptar shpreh shqetësimin për kërcënimin për jetën që ju vjen nga regjimi taleban atyre që duan të lënë Afganistanin nëse evakuimi i tyre nuk bëhet sa më shpejt. 

Tv Klan