Teksa pritet finalizimi i projektit më 31 Dhjetor të këtij viti, vijojnë punimet për Unazën e Madhe në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet nga kantieri, ku thekson se ka mbaruar puna e betonimit të nënstrukturave.

“Vijon pa ndërprerje puna në kantierin e Unazës së Madhe në Tiranë, ku aktualisht në “Sheshin Shqiponja-Urat mbi lumin Tiranë”, kanë përfunduar punimet e betonimit të nënstrukturave të betonit dhe paralelisht po punohet për montimin e strukturës metalike. Ky projekt me rëndësi madhore për kryeqytetin, jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, por do të ketë impakt dhe në ekonomi duke rritur vlerën e pronës, zhvillimin e bizneseve të reja dhe aksesueshmërinë me çdo portë hyrëse e dalëse për në Tiranë”, shkruan kreu i qeverisë.

Unaza e Madhe konsiderohet si një nga investimet publike më të rëndësishme, që do lehtësojë ndjeshëm trafikun në kryeqytet./tvklan.al