“Masat e reja do të zgjasin vetëm për pandeminë”

Kryeministri Edi Rama u tregua i prerë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Facebook kur tha se masat e reja që lidhen me epideminë do të futen në Kodin Penal.

Sipas kreut të qeverisë, masat do ë shtrihen vetëm gjatë periudhës së pandemisë dhe jo më tepër. Kryeministri Rama u shpreh se personat që kërcënojnë jetën e qytetarëve do të marrin ndëshkime shembullore.

“Hapja do të shoqërohet me shtrëngim të masave, nuk mund të tolerojmë ata që mendojnë se kjo punë iku, se kjo punë mbaroi dhe të lëvizin jashtë rregullave. Masat do të shtrëngohen. Ne do ta miratojmë futjen në Kodin Penal të masave që lidhen me epideminë që nuk e kemi pasur fare në Kodin Penal si askund tjetër.

Pavarësisht se çfarë thonë shumë ideologë të liri demokracisë këto janë kushte lufte, masat janë për këtë periudhë dhe nuk janë për t;u shtrirë përtej pandemisë. Do ta miratojmë dhe ndëshkimet do të jenë shembullore për ata që na kërcënojnë përfundimin me sukses të kësaj lufte. Kush thotë që populli me gjoba, populli me burg, harron që ai nuk është popull, por një individ”, tha Rama.

Sipas Ramës, populli ika respektuar masat, sepse në të kundërt situata me pandeminë do të ishte më e rëndë. Ai tha gjithashtu se gjobat nuk vihen për të mbushur arkën e shtetit./tvklan.al