Në ditën e dytë të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia” që mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga djali i tij Zaho dhe kryetarja e komanduar në bashkinë e Tiranës, Anuela Ristani janë shfaqur në Sheshin Skënderbej.

“Ky është një moment i një krenarie të madhe sepse mund të presim kaq shumë njerëz të bukur, e nga ana tjetër, t’i tregojmë Italisë dhe gjithë botës përmes televizioneve që ndjekin Xhiron e Italisë, një vend të mahnitshëm. Mora mesazhe nga mijëra miq që thoshin keni një vend të pabesueshëm. Po ndihmoni edhe shumë shqiptarë për të zbuluar bukuri, të cilët nuk mund të ankohen”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shfaq edhe krah të një nga drejtuesit e garës, Mario Vegni i cili u shpreh i entuziasmuar për të gjithë mikpritjen në Shqipëri, ndërsa vlerësoi maksimalisht organizimin e garës duke paralajmëruar se do të rikthehet sërish.

Edi Rama: Çdo gjë mirë?

Mario Vegni: Çdo gjë mirë dhe çdo gjë bukur.

Edi Rama: Po organizimi?

Mario Vegni: Perfekt dhe do kthehemi shpejt.

Edi Rama: Të pyes nga 1 tek 10 organizmi si është?

Mario Vegni: Nëntë.

Edi Rama: Po mikpritja?

Mario Vegni: Dhjetë.

Edi Rama: Po bukuria e vendit?

Mario Vegni: Dhjetë.

Edi Rama: Do riktheheni?

Mario Vegni: Do rikthehemi shpejt. Dhjetë.

Gara prestigjioze “Giro d’Italia” ndalet për herë të parë në Shqipëri, duke e përfshirë vendin në itinerarin ndërkombëtar të çiklizmit. Mijëra qytetarë dhe turistë ndoqën nga afër ngjarjen sportive që shndërroi rrugët e Durrës dhe Tiranës në pistë gare dhe festë.

Tv Klan