Rama ndryshon drejtuesit e PS në disa qarqe



Rama ndryshon drejtuesit e PS në disa qarqe

18:02 23/07/2019

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka propozuar në Asamblenë Kombëtare të PS ndryshime të drejtuesve të PS në disa qarqe.

Bie në sy, zëvendësimi i Ditmir Bushatit në Shkodër me kryetarin e ri të Bashkisë, Valdrin Pjetri dhe i Blerina Gjylametit në Tiranë nga Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati.

“Që tani, që sot propozoj disa ndryshime, së pari në udhëheqjen e qarqeve. Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në qarkun e Shkodrës, qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i Bashkisë Shkodër (Valdrin Pjetri). Duke ndjerë nevojën që në qarkun e Tiranës të ketë më shumë rezultat, Qarkun propozoj ta drejtojnë bashkërisht Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati. Ndërsa duke qenë se për arsye të disa ndryshimeve në sekretariat Lindita Nikollës do t’i ngarkojmë një detyrë tjetër, qarkun e Lezhës do ta drejtojë Sandër Lleshaj.”

Rama tha se sekretar që do të koordinojë punën e këshillave, do të jetë Ilir Beqja, ndërsa për plotësimin e mangësive në regjistrat e burimeve njerëzore, do të ngarkohet Lindita Nikolla.  

Ka qenë një çështje e përsëritur me shqetësim çështja e mangësive në regjistrin e burimeve njerëzore dhe prapambetja e thellë në këtë drejtim, në kushtet e një bote që ka ndryshuar, ne vazhdojmë me regjistra të vdekur, që janë thjeshtë inventar emrash dhe këtë detyrë propozoj t’ia ngarkojmë Lindita Nikollës.

Një tjetër shqetësim për Ramën është edhe prania on-line e partisë.

Duke qenë i pari politikan që kam bërë ciu-ciu, më takon të ndjehem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë. Për këtë besoj se Blerina (Gjylameti) është njeriu i duhur, që gjithë eksperiencën e koordinimit ta transformojmë bashkarisht në një organizim komplet të ri digjiital të partisë.

Ndërsa Elisa Spiropali në Krye të FRESSH do të zëvendësohet nga Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj./tvklan.al







Të ngjashme