Kryeministri i vendit Edi Rama shkruan në Facebook-un e tij se brenda 48 orëve Shqipëria ka dy prova shembullore të imazhit të saj të ri.

Rama thotë se 30 kompanitë ndërkombëtare që erdhën për t’u njohur nga afër me projektin e “Porto Romanos” dhe 4 kompani të tjera për cirkuitet automobilistike janë shembuj konkretë të rritjes së interesimit për vendin tonë, si në turizëm por edhe biznes.

“Përpara 48 orësh rreth 30 kompani të mëdha ndërkombëtare erdhën në Shqipëri për t’u njohur me projektin e Portit të Ri të Durrësit në Porto Romano, një prurje sipërmarrjesh të huaja që deri para ca vitesh as nuk imagjinohej. Sot katër kompani projektimi mes më të mëdhave të botës, për cirkuitet automobilistike ishin në Tiranë për konkursin ndërkombëtar të shpallur nga #DPSHTRRSH për Auto Motoparkun që do të ndërtojmë në Elbasan.

Të katërta me projekte vizionare dhe prezantime mbresëlënëse nga vetë drejtuesit e kompanive, të cilat ishin përgatitur shumë seriozisht edhe pse praktika e zgjedhur ishte më e pazakonshmja, pa asnjë pagesë paraprake. Në 48 orë këto janë dy prova shembullore të imazhit të ri të Shqipërisë, interesimit në rritje për vendin tonë si një destinacion interesant, jo vetëm për turizëm po edhe për biznes, si dhe rritjes së besueshmërisë tek Shqipëria që ka çelur negociatat me BE, e që sot ka një reputacion ndërkombëtar krejt tjetër nga ai i deri disa viteve më parë. Konkursin e sotëm e fitoi kompania e ish-pilotit të famshëm austriak të Formula 1 Alexander Wurz dhe babait të tij Franz Wurz, një personalitet i mirënjohur për nismat e tij në fushën e sigurisë rrugore”, shkruan kreu i ekzekutivit.