Në fokus marrëdhëniet e shteteve anëtare dhe shqetësimet që vijnë nga Kina e Rusia

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s po zhvillojnë samitin e radhës në selinë e aleancës në Bruksel. Në mesin e temave kryesore të Samitit të NATO-s, janë koncepti strategjik i aleancës veriatlantike, rritja e Rusisë dhe Kinës, ndikimi i ndryshimit të klimës, siguria botërore, kërcënimet kibernetike dhe përfundimi i misionit në Afganistan.

Samiti i 30 shteteve të NATO-s do të dërgojë një sinjal të fortë të unitetit transatlantik. Joe Biden merr pjesë në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s si pjesë e udhëtimit të tij të parë jashtë vendit si president i ri i SHBA-ve.

Biden ka shprehur angazhimin e tij të fortë për të punuar ngushtë me aleatët evropianë në ruajtjen e sigurisë transatlantike dhe vlerave demokratike. Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri Rama si dhe liderë të tjerë nga shtetet anëtare nga rajoni ynë si Maqedonia e Veriut me kryeministrin Zoran Zaev dhe kryeministri i Malit te Zi, Zdravko Krivokapiç.

Iniciativa NATO 2030 synon që të përpunojë mekanizmat për të përshtatur Aleancën për të përballur sfidat e konkurrencës strategjike dhe kërcënimeve transnacionale, përfshirë ndryshimin e klimës dhe sulmet kibernetike.

Klan News