Nga qyteti i Korçës ku pati takimin e radhës, Kryeministri Edi Rama zbuloi se qeveria shqiptare është në bisedime me kompaninë që po ndërton portin turistik të Durrësit, për të ndërtuar resortin e parë të skive në vendin tonë. Rama tha se diskutimet janë në fazën e parë, megjithatë ai u shpreh se ky resort parashikohet të ndërtohet në Nikolicë.

“Me kompaninë që ndërton portin turistik të Durrësit ne kemi filluar diskutimin për pikën turistike të Nikolicës për të ndërtuar resortin e parë të skive atje. Sigurisht është në fazën fillestare, kemi filluar të ndajmë të dhënat për studimin, por është e sigurt që shumë shpejt ne do të rikthehemi këtu bashkë me kompaninë, për të demonstruar një projekt që do të jetë hapja e një kapitulli tjetër për turizmin në Shqipëri, sepse gjithmonë e kemi lidhur turizmin me detin apo me qytete të caktuara që kanë trashëgimi historike e kulturore, por ende kemi një botë të tërë, një minierë të tërë të pa eksploruar në atdheun tonë që është turizmi malor”.

Për Kryeministrin “Korça është zgjedhja e parë për të hapur këtë kapitull tjetër. Natyrisht një resort i ri turistik skish në Korçë, si guri i parë në një tjetër themel të turizmit tonë, do të sjellë shumë më tepër punë, konsum, reputacion për këtë qark.”

“Korça e ka fituar statusin e një destinacioni të preferuar turistik në Shqipëri  dhe natyrisht që për të gjithë ata turistë që do të vijnë duke u shtuar, duke zgjedhuar edhe hapësirën kohore të turizmit që nuk do të jetë vetëm veror, por që ka filluar të shtrihet përtej atyre kufijve të ngushtë të verës, do jetë me siguri Korça një destinacion ku shumë më tepër do të duan të vijnë”, tha Rama ndër të tjera./tvklan.al