100% qira për të pastrehët, lekë në dorë për shtëpitë në fshat

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama tha se në Tiranë dhe Durrës është gati të fillojë procesi i meremetimeve pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Kreu i qeverisë tha se deri tani kanë nisur hetimet për 60 kompani ndërtimi në Durrës ndërsa 30 persona janë nën hetim nga policia kriminale dhe prokuroria.

Sipas Ramës nuk po fshihet asnjë provë me procesin e shembjes së ndërtesave. Rama premtoi pagesën 100% të qirasë për një vit për ata që nuk kanë strehë, ndërsa për banorët e fshatit do të ketë pagesë në dorë prej të paktën 2 milionë lekë të reja për të rindërtuar shtëpitë.

Ndërtimi i 500 banesave në Laç i është lënë një kompanie turke ndërsa po bëhen të gjitha verifikimet për ndërtimin e lagjeve të reja në Tiranë dhe Durrës. Rama paralajmëroi ashpërsim të dënimeve për rastet e shpifjes gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Kreu i qeverisë tha se nuk do të ketë asnjë fond për festat e administratës në fundvit dhe se askush nuk do të detyrohet të japë pjesë nga rroga për të ndihmuar rimëkëmbjen.

Tv Klan