Kryeministri u kthen përgjigje akuzave të opozitës

Fillimi i vitit 2021 do të bëjë realitet nisjen e punimeve në tunelin e Llogarasë. Premtimin e bëri nga Vlora Kryeministri Rama i cili mori pjesë në prezantimin e projektit që nis për ngritjen e parkut të Shtëpisë së Pavarësisë, që të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me buzën e detit dhe lungomaren.

“Është bërë gara e projekteve dhe ne jemi shpresëplotë që pjesën e parë të vitit të ardhshëm nisim punën”.

Vlonjatëve, të cilëve u premtoi ngritjen e aeroportit, Rama u shpjegoi edhe arsyen e ndërprerjes së procesit.

“U ndërpre nga karantina. Procesi do të rihapet dhe janë pak ditë ende, se do të fillojë që të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur kontratën për aeroportin e Vlorës”.

Nga Sheshi i Flamurit, Rama u dha përgjigje kritikëve të cilët shohin pas rritjes së pagave për arsimtarët e mjekët, qëllime elektorale.

“Pse u kujtuat tani thonë njerëzit. Jemi kujtuar që ditën e parë, u kujtova edhe kur zotrote flije gjumë, dhe kjo s’ka lidhje fare se kemi zgjedhje në Prill. Sot janë krijuar mundësitë për ta bërë këtë edhe pse kemi një volum për të rindërtuar shtëpitë dhe po e bëjmë por edhe ato duan kohën e tyre”.

Ndonëse është kordinator fushate në Qarkun e Durrësit, Kryeministri Rama ka shuar çdo zë duke konfirmuar sërish kandidimin e tij si deputet në 25 Prill në Vlorë.

Mos hapni llafe që unë nuk do jem në Vlorë, bëni kujdes nga çfarë dëgjoni, se çfarë nuk dëgjohet sot. Shumë i bien shkurt. Besojnë çfarë dëgjojnë pa bërë asnjë verifikim. Unë në Vlorë kam qenë edhe përpara se sa të bëhesha kryetar i Partisë Socialiste. Në Vlorë kam qenë edhe kur u bëra kryetar i Partisë Socialiste, në Vlorë jam dhe tani që jam Kryeministër, në Vlorë do jem deri sa të jem Kryeministër, në Vlorë do jem dhe pasi të mos jem më Kryeministër, madje do jem dhe më shumë se do kem më pak angazhime”.

Pavarësisht investimeve që tha se po bën qeveria e tij, Kryeministri u shpreh besimplotë për një mandat të tretë fitues në 25 Prill.

Tv Klan