“Kemi vullnet të hekurt, opozita po prodhon baltë e helm kundër drejtësisë”

Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë ndaj arrestimeve të kryera nga SPAK ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, duke mbështetur tërësisht qëndrimin e mbajtur nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Lideri i socialistëve shprehet se për këtë çështje po hidhet baltë dhe shpifje nga opozita.

“S’mund të jem më shumë dakord me sa me plot të drejtë, u tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj qytetarëve të Tiranës, në mesazhin e drejtpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë! Mendësia e vjetër komuniste, fatkeqësisht ende shumë e pranishme në mënyrën e të parit të tjetrit si armiku që duhet shkatërruar, falë trashëgimisë së hidhur në një segment të tërë të politikës e të medias shqiptare të një komunisti fanatik, të konvertuar në liderin trushpëlarës të krejt atij segmenti që nga dita e parë e pluralizmit deri sot, nakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë”, tha ai.

Rama përsërit edhe njëherë qëndrimin e prerë të shumicës qeverisëse pro SPAK si forca udhëheqëse e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

“Është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh. Goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdoqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur”!

Me tej kryesocialisti thekson se partia që ai drejton është në këtë detyrë për ta bërë Shqipërinë Europiane e vitit 2030 me reforma të vërteta dhe me vendosmëri absolute.

“Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart ose poshtë apo funksionet publike në çdo nivel, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një  xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe duke futur në një xhep të fshehtë paratë e marra me korrupsion”.

Rama kujton gjithashtu ishte pikërisht Reforma në Drejtësi që solli ndëshkime dhe tashmë  Shqipëria nuk është më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të.

Tv Klan