Socialistët mbajnë 1 minutë heshtje për Bashkim Finon

Në takimin elektoral në Lezhë, socialistët ndëruan me 1 minutë heshtje Bashkim Finon. Vetë Rama, gjeti rastin t’i falenderonte kundërshtarët politikë për respektin që treguan.

“Së pari dëshiroj të falenderoj Pjerinin për ndjeshmërinë që pati për të kujtuar këtu në këtë shesh një ditë pas humbjes së dhimbshme për të gjithë ne Bashkim Finon. Një mik i posaçëm një vëlla në familjen tonë të madhe. Një njeri i rrallë që siç e pamë të gjithë meritoi vërtetë atë ditë zie dhe respektin edhe të kundërshtarëve”.

Por mirëkuptimi nuk zgjati më shumë se pak sekonda. Kryeministri foli me ironi për pasojat që do të kenë mitingjet e opozitës në pandemi.

“Luli është për të krijuar idenë sikur dasmë do të ketë, çuni është i mirë, i ka dëmtuar atë zonën ku mendon, se ai vetë rri në makinë, këta po vazhduan kështu, mitingun e përmbylljes do ta bëjnë te Shefqet Ndroqi. Këta me Covid pa Covid, po ai stil, dy gishta dhe Rama ik, dy gishta Rama ik. I ngeli goja kantato Rama ik, nuk dinë fjalë tjetër”.

Para se të fliste për opsionin e humbjes në zgjedhje, Rama u kujdes të thotë “larg qoftë” dhe më pas paralajmëroi se si do te ndalet rindërtimi nga tërmeti dhe se si do të ndërpritet vaksinimi.

“Por as mos t’ju shkojë mendja se rindërtimi do të vazhdojë kështu nëse ata që kthehen, as mos t’ju shkojë mendja se vaksinat do vazhdojnë të vijnë kështu siç po vijnë, unë po them se çfarë do të ndodhte, ne kemi ambicie që ta lehtësojmë sezonin turistik ta lehtësojmë maksimalisht duke vaksina tani çdo ditë mendoni se kjo gjë vazhdon? Ca thonë detyrën po bëni, dakord po bëjmë detyrë, por kush është qëllimi i qeverisë? Të administrojë, ca thonë s’po i bën me Lekët e tua? Po mirë me Lekët e shtetit me të popullit punonin edhe këta, ç’a bënë këta? Mirëadministrimi i Lekëve është detyra e qeverisë, nuk është të prodhojë Lekë”.

Edhe kandidatët e opozitës në Lezhë ishin pjesë e fjalës se Kryeministrit, që sulmoi direkt Mark Markun dhe Agron Gjekmarkajn.

“Këtu në këtë shesh ju kam thënë, mos votoni Frrok Frrokun, e votuan, shkoi në burg, përfundoi në burg. Këtu po ju them prapë, ç’a do bëni me Mark Markun? Ai nuk shkon në burg, por as në punë, se nuk di të bëjë punë. E vetmja punë është që do thoshte do të të gjuj me shishe, tani as te Fevziu nuk shkon, po bisht? Gjekmarkun, ai është lolo. E njof se kam pas përballje me profesorin. Si mund të ulet niveli këtu”.

Rama ishte edhe në Laç ku inspektoi 11 kantiere ndërtimi në zonën e dëmtuar nga tërmeti, ku po ndërtohen 500 apartamente. Në Mirditë pritet që procesi i rindërtimit të mbyllet brenda këtij viti për 35 banesa individuale dhe 68 apartamente.

Tv Klan