Nga Londra, ku mori pjesë në forumin mbi Ballkanin Perëndimor, organizuar nga prestigjiozja “Financial Times”, Kryeministri Edi Rama tha se myslimanët shqiptarë janë më europianë se votuesit e Marine Le Pen në Francë.

“Ne në Shqipëri jemi populli më proeuropian. Optimizmi jonë euopian është më i madh se optimizmi i Zoran Zaevit. Ne kemi myslimanë dhe të krishterë. Myslimanët tanë janë shumë më europianë se votuesit e Marine Le Pen. Pa asnjë dyshim”, tha Rama gjatë fjalës së mbajtur në forumin me temë: “Mundësia e investimit në një rajon me rritje të shpejtë”.

Kreu i ekzekutivit tha se në Shqipëri “nuk ka shanse për parti anti-europiane, sikurse edhe parti komuniste, megjithëse kemi pasur partinë Komuniste më brutale në Europë. Edhe sikur të kishte nuk do të kishte asnjë mbështetje.”

Rama ftoi investitorët dhe turistët britanikë të mos frikësohen nga protestat, por të investojnë dhe vizitojnë Shqipërinë.

“Kur e shikoni Shqipërinë sot nëpërmjet fotove, mund të mendoni se nuk është vendi të shkoni të investoni apo notoni. Jo, është. Nuk është populli që po revoltohet. Është thjeshtë politike. Protestat mund të jenë pjesë e paketës sonë turistike. Njerëzit mund të vijnë, si në koncerte, protestë të shtunën në orën 8. Nëse doni të shikoni protestë mund të prenotoni një vend në rrethina, dhe nuk është i gjithë vendi në flakë, është vetëm në bulevardin kryesor. Ata vijnë, bëjnë gjërat e tyre, hedhin molotovë, por nëse qëndroni në një distancë të arsyeshme mund të kënaqeni.”/tvklan.al