Kryeministri: Vendi ynë i sigurtë për pushuesit

Kryeministri Edi Rama, nga Spanja ku merr pjesë në panairin më të madh të turizmit, ka folur për zhvillimin e turizmit në shqipëri si dhe rritjen e investitorëve spanjollë për të investuar në vendin tonë.

“Kjo formë e bashkëpunimit është bërë shumë e rëndësishme për ne. Nga ana tjetër, është po kështu shumë e rëndësishme që gjendemi këtu, pasi kemi patur sidomos vitin e shkuar një rritje të rëndësishme të turistëve spanjoll në Shqipëri. Duam të nxisim për më shumë turizmin luksoz dhe të mos biemi pre e turizmit masiv, se në fund të fundit nuk i jep vendit aq shumë përfitme, për të mos thënë që e dëmton.”

Rama ftoj turistët spanjollë që të shijojnë pushimet në Shqipëri sepse ofron siguri dhe standard të lartë dhe kjo dëshmohet nga fakti se Shqipëria ndodhet në vendin e tretë në botë për sa i takon rritjes së turizmit.

“Ka shumë kërkesa për të ardhur në Shqipëri. Vitin e shkuar shënuam aeroportin me rritjen më të lartë të fluksit në Europë, bëhet fjalë për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ne jemi vendi i tretë sa i takon rritjes së turizmit në botë pas Katarit dhe Arabisë Saudite, jemi pra të tretët pa patur Kupën Botërore dhe pa Mekën, është rezultat shumë i mirë”.

Kreu i qeverisë më herët nga panairi i Madridit tha se sfidë për qeverinë e tij mbetet ende Shqipëria turistike 2030.

“Ky panair i pararend panairit të madh të Berlinit ku ne do të marrim stafetën e vendit pritës të vitit të ardhshëm në Berlin, diçka e paimagjinueshme deri disa vite më parë.”

Veç takimit me homologun Sançez të martën, kryeministri ka pasur mundësi të takohet dhe me mbretin Philip të Spanjës, por dhe me investitorë dhe operatorë turistik spanjoll.

Klan News